Sindikata e Punëtorëve të RTK-së, i kërkon Kuvendit ta kompletoj Bordin e transmetuesit publik
Sindikata e Punëtorëve të RTK-së ka reaguar rreth zhvillimeve të fundit në televizionin publik pas dorëheqjes së kryetarit dhe dy anëtarëve të Bordit të RTK-së, lidhur me publikimin e raportit të marrë nga media boshnjake “Slobodna Bosna”.
Kjo sindikatë ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që në afat sa më të shkurtër kohor ta kompletoj me anëtarët e rinj Bordin e RTK-së.
“Sindikata e Punëtorëve e RTK-së kërkon nga Kuvendi i Kosovës, konkretisht nga Komisioni për media që në afat sa me të shkurtër kohorë ta kompletoj me anëtarët e rinj Bordin e RTK-së duke ndjekur procedurat sipas ligjit. Sindikata kërkon që këtë proces ta monitorojnë organizata kredibile vendore e ndërkombëtare”- thuhet në reagim.
Ndërsa theksohet se Sindikata kërkon që të ndalen sulmet ndaj televizionit publik dhe kërkon nga partitë politike dhe individët e caktuar t’i mbajnë duart larg nga transmetuesi publik.
Përveç kësaj, Sindikata ka listuar edhe një serë kërkesa tjera që kanë të bëjnë me kushtet e punëtorëve në këtë institucion.
Sindikata ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që ta rris buxhetin për RTK-në, ndërsa thuhet se janë kaluar të gjitha limitet e pritjes sa i përket pronës, ligjit dhe ndërtimit të objektit.
“Objektet ku aktualisht punojnë kolegët tanë nuk i plotësojnë as kushtet minimale për funksionim. Sindikata kërkon që të ndalen sulmet ndaj televizionit publik dhe kërkon nga partitë politike dhe individët e caktuar t’i mbajnë duart larg nga transmetuesi publik. Një transmetues publik i fuqishëm dhe i pavarur është në interes të publikut të gjerë në Kosovë dhe për këtë duhet të angazhohemi të gjithë”- thuhet në reagim.
Sindikata e punëtorëve ka vlerësuar se situata aktuale në RTK pa kompletimin e Bordit thuajse është jofunksionale.
“Çdo vonesë ndaj kërkesave tona do ta dëmtojë rëndë të ardhmen e mediumit të vetëm publik në Kosovë”- thuhet në reagim.
Besnik Boletini, ka njoftuar se më 17.08.2024, gjatë mbledhjes së Bordit të RTK-së ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit dhe anëtarit të bordit të RTK-së.
Boletini ka thënë se përpjekjet për të adresuar skandalin e publikimit të një artikulli të paverifikuar gjatë këtyre javëve ishin të përditshme dhe të vazhdueshme, përkundër vështirësive.
Dorëheqja e Boletinit nga pozita e kryetarit të bordit të RTK-së vjen pas publikimit të një raporti të marrë nga media boshnjake “Slobodna Bosna”, i cili etiketonte dy portale kosovare.
Pas dorëheqjes së Boletinit, më 17.08.2024, dorëheqje ka dhënë edhe anëtarja e këtij bordi, Arta Berisha dhe Safet Kabashaj.