Sindikata e punëtorëve të 'Limak' thonë se raportimi i Demë Elezajt është dashur të shpërblehej, e jo të ndëshkohet

Sindikata e Punëtorëve të “Limak” përmes një komunikate kanë reaguar ldihur me raportimin e ish inxhinierit të ndriçimit në ANP ‘Adem Jashari’, Demë Elezaj, i cili tha se punimet për zgjatje të pistës së aeroportit “Adem Jashari” u përcollën me shumë shkelje.

Kryetari i Sindikatës, Bashkim Latifi ka thënë se sinjalizuesit si rasti i Elezajt është dashur të shpërblehen e jo të ndëshkohen.

“Me shqetësim kemi përcjellë rastin e kolegut tonë Demë Elezaj i raportuar mbrëmë në media. Kjo tregon se ‘Limaku’ e në veçanti z. Gokmen Aritay si Drejtor i Operimeve nuk qajnë kokën për Ligje e Standarde të sigurisë së Aviacionit, por dekurajojnë raportuesit. Ajo çfarë ka bërë z. Demë Elezaj është për t’u shpërblyer e jo ndëshkuar”, thuhet në komunikatë.

Në komunikatën e sindikatës së punëtorëve të ‘Limak’ tutje theksohet se kjo nuk është hera e parë që Aritay ndëshkon sinjalizuesit, pasi kjo kishte ndodhur edhe për rastin e valixheve.

“Limaku përmes Gokmen Aritay nuk e ka për herën e parë që ndëshkon sinjalizuesit, rasti i njëjtë kishte ndodhur edhe kur sinjalizuesit për rastin e valixheve janë përjashtuar nga puna. Raste të tjera vazhdojnë të penalizohen në forma të tjera sot e kësaj dite”, thuhet tutje në komunikatë.

Punëtorët u kanë bërë  thirrje organeve të drejtësisë të bëjnë hetim ndaj personave që kanë qenë në dijeni për shkeljet.

“Ftojmë organet e ndjekjes që të bëjnë një hetim profesional dhe të drejtë. Sipas mendimit tonë, hetim profesional dhe i drejtë do të ishte suspendimi i të gjithë personave në rend të parë z. Gokmen Ariaty, të cilët kanë qenë në dijeni për shkeljet e sigurisë të cilët apostrofohen në raportin e Aviacionit civil. Këta persona vazhdojnë të kenë qasje në dokumentacion të vlefshëm për hetim si raporte, lista kontrolluese, log book’e, ndikim tek pjesa tjetër e personelit që është në punë”, thuhet tutje në reagimin e Sindikatës.

Tutje, ata inkurajojnë të gjithë kolegët që të bëjnë të njëjtën gjë që ka bërë kolegu Demë Elezaj.

Sipas tyre, për disa raste kanë sinjalizuar edhe MPB-në e cila është autoritet mbikqyres i sigurisë  se aviacionit civil, por që gjendja vazhdon të jetë e njejtë.

Ish inxhinieri i ndriçimit në aeroportin “Adem Jashari” në emisionin #KallxoPërnime tha treguar sesi punimet për zgjatjen e pistës që kushtuan 33 milionë euro ishin certifikuar ende pa u përfunduar dhe kishte pas shumë shkelje gjatë punimeve.

Si shkak i adresimit të këtyre problemeve, Elezajt në janar të këtij viti iu ndërpre kontrata e punës.

Demë Elezaj: Dritat e pistës së Aeroportit “Adem Jashari” kanë defekte, ka rrezik për ndonjë aksident ajror