Sindikata e punëtorëve denoncon organizimin e brendshëm në Agjencinë e Aviacionit Civil

Sistemimi i vendeve të punës dhe organizimi i brendshëm në Autoritetin e Aviacionit Civil të Kosovës ka nxitur reagimin e Sindikatës së Punëtorëve në këtë institucion.

Përmes një komunikate për media, sindikata ka thënë se ka munguar transparenca në këtë proces të brendshëm të AAC-së.

“Sindikata e punëtorëve të Autoritetit të Aviacionit Civil (SPAAC) reagon publikisht për të shprehur indinjatë lidhur me mungesën e transparencës gjatë procesit të ndryshimit të rregullimit të brendshëm dhe strukturës organizative së AAC të cilën e ka inicuar Drejtori i Përgjithshëm i AAC-së”, thuhet në reagimin e sindikatës.

Sipas tyre, drejtori i këtij institucioni, Bujar Ejupi, edhe pse u kishte premtuar transparencë, një gjë të tillë nuk e kishte ofruar.Kjo sindikatë kishte kërkuar edhe përfshirjen në grupet punuese.

“Nga shqetësimet e ngritura nga SPAAC ka qenë fillimisht fakti se në Grupin Punues për hartimin e Projekt rregullores nuk është përfshirë asnjë anëtar i SPAAC, dhe për më tepër nuk janë përfaqësuar as katër nga pesë departamentet profesionale-teknike të AAC-së. SPAAC ka kërkuar përfshirjen në Grupin Punues duke qenë se shumica e anëtarëve të saj kanë përvojën më të gjerë profesionale dhe menaxheriale por kjo kërkesë nuk është përfillur. Poashtu, përkundër premtimeve, Projekt rregullorja nuk i është përcjellë SPAAC për konsultim, ndonëse ky është edhe obligim ligjor që buron mes tjerash nga Ligji për organizmin sindikal, që obligon menaxhmentin për të zhvilluar dhe promovuar dialogun social”, thuhet në komunikatë.

Ata janë ankuar edhe për afat të shkurtër për dërgimin e inputeve për rregulloren si dhe mungesë transparence nëse inputet janë marrë parasysh.

“Edhe pse në emër të “transparencës”, sipas udhëzimeve të Drejtorit të përgjithshëm Grupi punues ka kërkuar nga Drejtorët e departamenteve në një afat shumë të kufizuar të dërgojnë inputet për rregulloren, është imponuar në mënyrë eksplicite ideja e Drejtorit të përgjithshëm për organizimin e brendshëm. Në asnjë fazë të procesit nuk ka pasur komunikim apo konfirmim për përfshirjen apo jo të këtyre inputeve”, thuhet tuje në reagimin publik të Sindikatës së Punëtorëve të Autoritetin e Aviacionit Civil.

Në fund, kjo sindikatë ka bërë thirrje nga disa institucione që të reagojnë me zhvillimet e fundit në AAC.

“I bëjmë thirrje Bordit Mbikëqyrës të AAC-së, Ministrisë së Infrastrukturës, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Financave dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit që gjatë vendimmarrjes lidhur me rregulloren e brendshme të AAC-së të jenë vigjilent mbi procesin jo-transparent dhe përjashtues që është zhvilluar në AAC gjatë hartimit të saj dhe të parandalojnë cenimin e mëtutjeshëm të integritetit dhe kompetencës profesionale të AAC-së që do të kishte ndikim negativ në përformancën e AAC-së gjatë mbikëqyrjes së sigurisë së aviacionit civil në Kosovë”, thuhet në fund të komunikatës.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në lidhje me riorganizimin edhe më 31 dhjetor 2020, 18 janar 2021 dhe gjatë ditës së sotme, por AAC nuk ka kthyer përgjigje.

Lexojeni të plotë komunikatën e Sindikatës këtu.