Ilustrim - Foto: Denis Sllovinja/ KALLXO.com
Sindikata e Policisë së Kosovës nuk pajtohet me vlerën e propozuar nga Qeveria për rritjen e pagave për policët
Sindikata e Policisë së Kosovës nuk është pajtuar me vlerën e propozuar nga Qeveria për rritje të pagave. Ajo ka kërkuar që rritja prej 110 eurove të jetë rritje prej 220 eurove.
Sipas njoftimit të kryeministrit Albin Kurti, policëve do t’u bëhet paga 605 euro nga janari deri në qershor 2025 e 660 euro nga korriku deri në dhjetor. Aktualisht, paga e tyre është 550 euro.
Sindikata edhe pse ka përshëndetur vendimin, ka thënë se kjo rritje nuk përkon me nevojat reale të punonjësve.
“SPK vlerëson se shuma e propozuar për këtë rritje nuk përkon me nevojat reale të punonjësve, duke pasur parasysh inflacionin dhe rritjen e çmimeve, si dhe nivelin e pagave të policisë në shtetet e rajonit tonë” – thuhet në reagim.
Rritja e koeficientit të policëve do të bëhet nga 5.0 në 6.0, mirëpo Sindikata kërkon që rritja të bëhet prej dy koeficientësh.
“Konkretisht, sugjerohet që rritja e parë të zbatohet në janar për një koeficient dhe e dyta në qershor për një koeficient shtesë.”
Sipas SPK-së, kjo qasje do të siguronte mbështetje më të qëndrueshme ekonomike për punonjësit duke përputhur pagat me rritjen e kostos së jetesës dhe me standardet e rajonit.
Qeveria rrit pagat për punëtorët e sektorit publik nga janari 2025