Policia e Kosovës e vendosur në Leposaviq | Foto: Adelina Ahmeti/ KALLXO.com

Sindikata e Policisë së Kosovës: Gjendja shëndetësore e policëve të lënduar është e mirë

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri ka vizituar sot Kampin e Njësive të Specializuara Policore në Belvedere.

Sipas njoftimit, gjatë këtij takimi Zeqiri është informuar se gjendja shëndetësore e policëve të lënduar një ditë më parë, është e mirë dhe pa ndonjë rrezik për jetë.

“U informua se sot gjendja është e qetë dhe pa asnjë incident, kurse Policia e Kosovës janë duke i kryer detyrat e tyre me profesionalizëm të lartë sipas autorizimeve ligjore dhe kushtetuese” – thuhet në njoftim.

“Në këtë takim, me Ministrin e MPB-së Xhelal Sveçla u diskutua edhe për mosekzekutimin e shtesave për rrezikshmëri dhe kërkesat e tjera nga Sindikata, ai tha se është duke u punuar për të gjitha por pa caktuar ndonjë afat kohor, por deklaroj se është shumë i vendosur që të bëjë më të mirën e mundshme për policinë”- thuhet tutje në njoftimin e Sindikatës.

Kryesindikalisti Zeqiri është takuar edhe me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Gazmend Hoxha me stafin e tij menaxhues, Drejtoreshën e DRP-së të Mitrovicës së Jugut Kolonel Afërdita Mikullovci, Zëvendës Drejtorin e DRP-së të Mitrovicës së Veriut Nënkolonel Veton Elshani dhe Komandatin e NJSO-së Major Amir Gërguri.

Të premten, në komunat e veriut të vendit është dëgjuar alarmi, ndërsa pranë disa objekteve komunale, si në Zveçan e në Zubin Potok, janë parë qytetarë të cilët kanë kundërshtuar futjen e kryetarëve të zgjedhur në objektet komunale.

Pesë policë të Kosovës kanë pësuar lëndime të lehta trupore, pasi janë sulmuar nga protestuesit në Zveçan me mjete të forta dhe shok-bomba, ka konfirmuar Policia e Kosovës.

Kjo situatë nxiti edhe reagimin e sekretarit amerikan, Antony Blinken i cili kritikoi qeverinë për përshkallëzim të tensioneve në veri.

Përveç sekretarit Blinken, ishin edhe të gjithë ambasadorët e QUINT-it që reaguan ashpër në lidhje me situatën e krijuar, duke vënë gishtin në drejtim të Qeverisë së Kosovës.

KALLXO.com ka raporuat sot gjatë gjithë ditës për zhvillimet në veri, të cilat ishin të qeta dhe pa ndonjë problem.

Ekipet e Policisë së Kosovës janë duke vazhduar t’i ruajnë objektet komunale në këto tri qytete.