Sindikata e policisë pret vendimin përfundimtar për Ligjin e Pagave

Sindikata e Policisë së  Kosovës ka njoftuar se nuk do të mbajë greva për të kundërshtuar pezullimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Paga.

Sindikata e Policisë ka bërë të ditur se kjo është vendosur në një takim të jashtëzakonshëm të cilin e ka mbajtur sot Këshilli Drejtues i Sindikatës së Policisë së Kosovës.

“Temë e këtij takimi ishte situata e re e krijuar pas pezullimit te ligjit te pagave nga Gjykata Kushtetuese e Republikës se Kosovës. Në ketë takim është diskutuar dhe është marr parasysh situata në të cilën po kalon vendi dhe mbi bazën e kësaj, Këshilli Drejtues i sindikatës të Policisë së Kosovës ka marrë vendim që të pritet gjerë ne marrjen e vendimit përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese”, thuhet në njoftim.

Sindikata ka kërkuar që kjo çështje të trajtohet me prioritet.

“Bazuar në atë se Policia e Kosovës si institucion i zbatimit te ligjit, vendimet e Gjykatave të Republikës së Kosovës nuk i interpretojmë apo diskuton , por kërkojmë nga Gjykata Kushtetuese që çështjen e ligjit të pagave ta trajtoj me prioritet”, thuhet në njoftim.

Sindikata e Policisë së Kosovës ka kërkuar nga Institucionet e vendit që të gjitha të drejtat dhe obligimet që burojnë nga ligji i pagave të zbatohen në mënyrë retroaktive nga data e hyrjes në fuqi e këtij ligji.

Sindikata pa ashtu ka njoftuar se në këtë takim, në mënyrë unanime është marr vendim që të mbahen takimet me bartësit e institucioneve të vendit që të realizohen kërkesat e kamotshme të Sindikatës të Policisë së Kosovës për sigurimin shëndetësor, sigurimin jetësor dhe aksidnetal, Ligji për pensionimin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, pagesën e ndërrimit të natës në mënyrë të dinjiteteshme, dhe pagesa e shujtës dhe të transportit për pjesëtaret e policisë se Kosovës.

Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar përkohësisht Ligjin për Paga sipas kërkesës nga Avokati i Popullit. Ligji do të jetë i pezulluar deri më 30 mars të këtij viti.

Avokati i Popullit ishte ankuar  pasi  ka pranuar gjithsej 35 ankesa individuale nga subjekte të ndryshme të sektorit publik dhe pasi ka vlerësuar se  është në “interes të ankuesve, por edhe të publikut, që Gjykata të vlerësojë nëse Ligji i kontestuar prek interesat legjitime të këtyre ankuesve.

https://kallxo.com/lajm/pezullohet-ligji-i-pagave-nuk-ka-paga-me-rritje-per-tre-muaj/