Foto: KALLXO.com

Sindikata e Policisë: Polici i pensionuar merr 100 euro pension

Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes është takuar me kryetarin e Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri.

Në këtë takim është diskutuar në lidhje me shqetësimet dhe problemet që iu takojnë zyrtarëve policorë.

Kryetari i sindikatës, Imer Zeqiri tha se kërkojnë që projektligji për sigurim shëndetësor të hyjë në votim.

“Ne si sindikatë mendojmë se shumë shpejt kemi m`i humbë këta profesionistë dhe kërkesa jonë është që komisioni t`i merr seriozisht këto kërkesa”, u shpreh Zeqiri.

Sa i përket Ligjit për pensionim ai tha se mosha mesatare e policisë aktualisht është 46 vjeç dhe se një zyrtar policor merr një pension prej 100 euro.

Anëtari i Komisionit, Anton Quni nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se sindikata është e heshtur.

“Unë sot e kuptova që kemi sindikatë, po të kishit qenë të zëshëm do të kuptonim që ju e udhëhiqni sindikatën”, u shpreh Quni.

“Po presim një prezantim më konkret, sepse ju konsiderojmë të pavarur dhe kompetent”, u shpreh më tutje ai.

Ndërsa anëtari tjetër i komisionit nga Partia Demokratike e Kosovës, Hisen Berisha tha se së pari duhet të rregullohet statuti.

“Nuk mundet një polic më shumë se 55 vjet me punu. Për pensionimin me 100 euro ju tregon që jeni shërbyes civil”, tha Berisha.

Mirëpo zëvendëskryetari i parë, Enver Dugolli nga LVV, tha se nuk pajtohet me konstatimin se sindikata nuk është e zëshme.

Ndryshe, gjatë mbledhjes ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka thënë se Policia e Kosovës ka humbur pavarësinë e saj në raport me Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Sipas tij, ministri Xhelal Sveçla shkon në zyre të hetuesve nëpër dhoma komanduese.

Në lidhje me këtë, Zeqiri tha se nuk ka pasur rast të shoh që ka hyrë nëpër zyre të hetuesisë.

“Realisht nëse policia humb atë pavarësinë e saj dhe bie në ndikim të politikës pavarësisht kush është në pushtet kjo është një dukuri e keqe”, ka thënë më tutje kryesindikalisti.

Ish-drejtori i policisë: Shqetësuese që ministri të shkojë në dhoma komanduese e nëpër zyre të policëve e hetuesve