Sindikata e Policisë kërkon të merren masa ndaj Dardan Molliqaj për sulmin ndaj zyrtarit policor

Sindikata e Policisë së Kosovës ka kërkuar nga organet e drejtësisë të veprojnë sipas procedurave ligjore dhe të gjithë ata, duke përfshirë edhe kryetarin e Partisë Social Demokrate, Dardan Molliqaj që i kanë sulmuar zyrtarët policor të hetohen zyrtarisht.

“Ky sulm shihet shumë qartë në videoincizimet e kamerave, prandaj kërkojmë nga organet e drejtësisë që menjëherë të veprojnë sipas procedurave ligjore dhe të gjithë ata që i kanë sulmuar zyrtarët policorë të hetohen zyrtarisht”, thuhet nw reagimin e Sindikatws së Policisë së Kosovës.

Sipas Zeqirit, sulmi i ushtruar ndaj Policisë është sulm ndaj Shtetit të Kosovës dhe ka kërkuar nga Prokuroria dhe Gjykata që të reagojnë menjëherë.

“Sindikata e Policisë konsideron se sulmi i ushtruar ndaj Policisë është sulm ndaj Shtetit të Kosovës, prandaj Prokuroria dhe Gjykata duhet të reagojnë menjëherë duke respektuar parimin ligjor ‘askush mbi ligjin’”, shkruan Zeqiri.

Tutje, ai ka bërë të ditur se Sindikata do të monitoroj të gjitha reagimet e organeve të drejtësisë, do të qëndroj në ballë të mbrojtjes së Zyrtarëve Policorë në çdo rrethanë dhe moment që ndodh padrejtësi ndaj tyre.

Gjatë protestës së sotme të organizuar nga PSD-ja, kordoni i Policisë së Kosovës u thye nga protestuesit, ndërkaq në disa video-incizime është parë Dardan Molliqaj duke goditur me shuplakë njërin nga zyrtarët policor.

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë protestës së organizuar nga PSD-ja, janë lënduar tre zyrtarë policor.

Sipas Policisë, është  iniciuar një hetim për rastin “Sulm ndaj personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare”.

VIDEO – Momenti kur Dardan Molliqaj godet me shuplakë policin në protestë