Sindikata e Policisë e shqetësuar për kallëzimin penal ndaj policëve në rastin e 'gylenistëve'

Sindikata e Policia së Kosovës ka reaguar në lidhje me ngritjen e kallëzimeve penale ndaj 22 zyrtarëve policorë për rastin e njohur si “Gylenistët”.

Në reagimin e Sindikatës së Policisë së Kosovës thuhet se janë të shqetësuar në lidhje me situatën e krijuar ndaj një numri të zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës lidhur me rastin e suspendimit të eprorëve dhe zyrtarëve policorë në Gjakovë, si dhe rasti i trajtimit të zyrtarëve policorë të angazhuar në rastin e deportimit të gjashtë shtetasve turq më 29 mars të vitit të kaluar.

“Të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës në zbatimin e detyrave dhe përgjegjësive të tyre edhe në këto raste, sikur veprojnë edhe në të gjitha rastet e tjera gjatë zbatimit të detyrave dhe përgjegjësive të tyre, me përpikëri i kryejnë të gjitha detyrat dhe përgjegjësitë e tyre në harmoni me dispozitat ligjore qe janë në fuqi duke i shërbyer vendit me dinjitet dhe profesionalizëm”, thuhet në reagimin e sindikatës.

Sipas Sindikatës së Policisë, është brengosëse se si zyrtarët policor pa fajin e tyre prezantohen dhe linçohen pa bazë edhe pse ende nuk kanë përfunduar të gjitha procedurat e hetimit lidhur me këto raste.

“Në këto raste zyrtarët policorë kanë zbatuar procedurat e parapara me dispozitat ligjore, Ligjit për Policinë, Ligjit për të Huajt dhe ligjeve tjera në fuqi, procedurat e parapara dhe asgjë tjetër. Është e pajustifikueshme që gati pas një viti të rastit të ndodhur në Gjakovë të suspendohen eprorë dhe zyrtarë policorë të këtij stacioni. Theksojmë, pa tendencë për të ndikuar në rrjedhat e procedurës që janë duke u zhvilluar në organet kompetente të drejtësisë, këta zyrtar duhet të kthehen në vendet e tyre të punës, ndërsa procedurat në organe kompetente të vazhdojnë”, thuhet në reagim.

Sipas Sindikatës së Policisë, kohëve të fundit jo vetëm në këto raste por edhe në shumë raste të tjera Policia e Kosovës është duke gjetur përkrahjen dhe mbështetjen te qytetaret e vendit dhe këtë mbështetje Sindikata e ka kërkuar ta kenë nga të gjitha institucionet e vendit.

Sindikata e Policisë së Kosovës në reagimin e saj ka thënë se mbështet të gjitha veprimet e Policisë së Kosovës që janë të bazuara në ligjet në fuqi dhe kryerjen detyrave me dinjitet dhe profesionalizëm.

“Nëse vazhdon një përbuzje dhe trajtim i tillë i këtyre pjesëtarëve nga kushdo qoftë, sindikata do të shfrytëzoj të gjitha mjetet sindikale që ka në dispozicion për tu dal në mbrojtje. Sindikata kërkon nga institucionet e vendit të kryejnë obligimet e tyre karshi obligimeve që kanë ndaj këtij shërbimi”, thuhet në reagim.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Prokuroria Speciale e Kosovës konfirmon pranimin e kallëzimit penal nga IPK.

“Ju njoftojmë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka pranuar kallëzim penal nga IPK-ja ndaj 22 të pandehurve, ndërsa jemi duke intervistuar edhe të pandehurit  të tjerë në lidhje me ketë rast”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Speciale të Kosovës për KALLXO.com.

Kallëzimi penal i paraprin aktvendimit për fillim të hetimeve.

Në bazë të kallëzimit penal, Prokuroria obligohet të ndërmarre veprime në bazë të të cilave vendosë për nxjerrje të aktvendimit për fillim të hetimeve ose hedhjen poshtë të tij.

KALLXO.com, nga burimet e saj mëson se në mesin e personave ndaj të cilëve është parashtruar kallëzim penal si të pandehur është edhe Rrahman Sylejmani, Drejtor i Departamentit të Kufirit në Policinë e Kosovës.

Po ashtu, sipas burimeve të KALLXO.com, janë autorizuar veprime para hetimore edhe për nënkolonelin Shaban Guda.

Ky kallëzim paraqet hapin më të madh të institucioneve të Kosovës deri më tani në zbardhjen e zhvillimeve që çuan në deportimin e 6 shtetasve turq nga Kosova.

Të dy këta, janë në mesin e dhjetëra personave të intervistuar edhe nga Komisioni Hetimor i formuar në Kuvendin e Kosovës në lidhje me zbardhjen e dëbimit të shtetasve turq nga Kosova.

KALLXO.com mëson se në lidhje me personat e përfshirë në kallëzim penal ende nuk ka aktvendim për fillim të hetimeve, por është duke u mbledhur informacion.

Mëngjesin e 29 marsit të vitit të kaluar 6 shtetas turq ishin ndaluar gjatë një operacioni të Policisë së Kosovës në bashkëpunim me AKI-në dhe brenda ditës ishin deportuar për në Republikën e Turqisë.

Ky operacion shkaktoi një reagim të gjerë në Kosovë dhe hasi në një kundërshtim të fuqishëm. Si rrjedhojë, nga detyra u liruan Ministri i Brendshëm, Flamur Sefaj dhe shefi i AKI-së, Driton Gashi.

Kuvendi i Kosovës më pas themeloi një komision hetimor ku i intervistuan dhjetëra persona në mesin e tyre edhe Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ish drejtori i Policisë së Kosovës, tani shef i AKI-së, Shpend Maxhuni, e shumë persona të tjerë.

Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me këtë rast ka hartuar një raport ku ka konstatuar dhjetra shkelje.

Gjithashtu, Institucioni i Avokatit të Popullit, ka nxjerrë një raport ku ka konstatuar shkeljen e të drejtave të njeriut.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi në lidhje me këtë rast, ndërsa edhe emisioni “Drejtësia në Kosovës”, i ka kushtuar një emision këtij rasti duke hedhur dritë mbi shkeljet e të drejtave të njeriut në këtë rast.

KALLXO.com ka publikuar sot edhe reagimin e Rrahman Sylejmani, Drejtor i Departamentit të Kufirit në Policinë e Kosovës, i cili ka thënë se nuk është i njoftuar se ndaj tij është ngritur kallëzim penal.

“Nuk kam informacione, nuk më kanë informuar në mënyrë zyrtare për kallëzim penal”, ka thënë Sylejmani.

Sylejmani ka bërë të ditur se para disa muajve është intervistuar në lidhje me këtë rast.

“Jam intervistuar, nga ata të cilët janë kompetent, kam dhënë edhe deklaratë në parlament, nuk ka qenë sekret kjo. Jam intervistuar para dy tre muajve, por për hapat tjerë nuk jam informuar se çfarë është ndërmarrë”, ka thënë Sylejmani.