Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Sindikata e Pavarur e RTK-së: Inspektorati i Punës konstatoi shkelje në rastin e Fadil Hoxhës

Sindikata e Pavarur e Radiotelevizionit të Kosovës ka njoftuar se kanë pranuar vendimin e Inspektoratit të Punës për rastin e degradimit në pozitë të Fadil Hoxhës në fund të vitit të kaluar. Sipas Sindikatës, Inspektorati ka konstatuar shkelje dhe parregullsi në vendimin për Hoxhën.

SPRTK thotë se Inspektorati i Punës ka konstatuar se Fadil Hoxha është ulur në pozitë e cila nuk është në harmoni me shkollimin dhe aftësitë e tij dhe se nxjerrja e vendimit për degradimin e Hoxhës është bërë nga pala që në të njëjtën kohë është iniciuese e procedurës dhe palë në procedurë.

Drejtori gjeneral i Radiotelevizonit të Kosovës, Shkumbin Ahmetxhekaj tha se kanë pranuar raportin zyrtar të Inspektoratit të Punës.

Ahmetxhekaj tha për KALLXO.com se raporti ka hedhur poshtë pretendimet se Fadil Hoxha po përndjeket nga menaxhmenti për shkak të aktivitetit të tij sindikal, duke theksuar se ky raport zyrtar konstaton se ankesa e Fadil Hoxhës është pjesërisht e bazuar.

“Ne kemi pranuar raportin zyrtar të IP-së, ku hedhen poshtë të gjitha pretendimet e z.Hoxha se Menaxhmenti po e përndjek atë për shkak të aktivitetit të tij sindikal. Në raportin 11 faqesh, konstatohet se nuk ka ndërlidhje të vendimit për masë të lehtë disiplinore  ndaj z. Hoxha, me angazhimin e tij si kryetar sindikate. Ky raport zyrtar konstaton se ankesa e punëtorit të RTK-së Fadil Hoxha është pjesërisht e bazuar dhe kërkohet nga RTK-ja që të evitohen tri konstatimet e inspektorit të rastit”- tha drejtori Ahmetxhekaj.

Ndërsa shtoi se Zyra ligjore e RTK-së do t’i përgjigjet Inspektoratit të Punës brenda afateve ligjore.

Pjesë nga vendimi i Inspektoratit të Punës për Fadil Hoxhën. Vendimi është bërë i ditur nga Sindikata e Pavarur e RTK-së
Pjesë nga vendimi i Inspektoratit të Punës për Fadil Hoxhën. Vendimi është bërë i ditur nga Sindikata e Pavarur e RTK-së

Fadil Hoxha, kryetar i Sindikatës së Pavarur të RTK-së  ishte degraduar në muajin dhjetor në pozitën inxhinier përgjegjës nga pozita udhëheqës i njësisë së hulumtimit sepse kishte thirrur Policinë e Kosovës pasi kishte pranuar një e-mail për mosprezencë në vendin e punës.

Sindikata e Pavarur e Radiotelevizionit të Kosovës kishte thënë se kryetari i saj, Fadil Hoxha, ishte kërcënuar me masa ndëshkuese, për shkak se i njëjti në kohën kur është bërë një inspektim në zyrë nuk ka qenë i pranishëm.

Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, kishte thënë se ai nuk e ka degraduar Hoxhën dhe se udhëheqësi i Shërbimeve të Përbashkëta, Alban Fetahu, kishte konstatuar që thirrja e Policisë së Kosovës nga Hoxha është shkelje e kontratës.

KALLXO.com ka raportuar për këtë rast, dhe KËTU mund t’i gjeni të gjitha raportimet.