Greva e minatorëve të Trepçës 01.08.2024 | Foto: Kallxo.com

Sindikata e Minatorëve të Trepçës: Nuk janë minatorët ata të cilët duhet të japim llogari për menaxhimin dhe financat e ndërmarrjes

Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka reaguar në lidhje me pakënaqësitë të cilat lidhen me mosrealizimin e pagave për minatorët.

Sipas tyre për financimin dhe shkakun e mosekzekutimit të pagave nuk duhet të japin llogari minatorët.

“Duke pas parasysh gjendjen në të cilën ndodhemi, minatorët gjithmonë kanë qenë dhe janë të gatshëm për llogaridhënie, por së pari nuk jemi ne minatoret ata të cilët duhet të japim llogari për menaxhimin dhe financat e ndërmarrjes”- thuhet në njoftim.

Sa i përket prodhimit, sindikalistët thonë se minatorët janë munduar të bëjnë më të mirën e mundshme pavarësisht mungesës së kushteve elementare.

Ndërsa kryeshefi i ndërmarrjes, Bashkim Kurti në një përgjigje për KALLXO.com më 14.05.2024 kishte thënë se pagat u janë vonuar pasi ndërmarrja nuk ka arritur të gjenerojë të hyra prej shitjes së xeheve.

“E vërtetë është. Ka ndodhë për shkak të pamundësisë për me gjeneru të hyra prej shitjes së koncentratit edhe kjo është arsyeja. Edhe mua më kanë thënë që kena me punu, kena me ba maksimumin po nuk e kanë ba. Në vend se me u bo 20,000 ton xehe, janë ba 6,000 ton xehe. E unë nuk jam minator, jam kryeshef””- ka thënë ai.

Sindikata e Pavarur e Minatorëve u bën thirrje qeverisë për të zgjidhur problemin e pagave i cili atakon minatorët për muaj të tërë.

“Mjaft më është koha që të reflektoni ju si qeveri sepse ne si minatorë ju kemi paralajmëruar shumë kohë më parë, pakënaqësinë tonë jemi munduar t’ua shfaqim edhe me ngujimin në minierë e me greva, por si duket as kjo nuk paska mjaftuar”- përfundojnë ata.

Ndryshe, sot më 01.08.2024 një numër minatorësh kanë protestuar te zyrat e menaxhmentit të Trepçës në Mitrovicë, pasi janë të pakënaqur sepse pagat e muajit qershor dhe korrik ende nuk u janë ekzekutuar.

Ekipi i KALLXO.com ka ndjekur protestën e minatorëve, ku ka parë se disa pjesëtar të Policisë Speciale janë prezent. Pas disa minutash që ka filluar protesta e minatorëve, ata i ka pritur kryeshefi i Trepçës, Bashkim Kurti.

KALLXO.com ka raportuar se Trepça nuk ka paguar kontributet dhe tatimet në paga për punëtorët që nga viti 2020.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se Ndërmarrja Publike “Trepça” nuk ua ka paguar punëtorëve të saj kontributet dhe tatimet në paga, që nga vitit 2020.Sipas raportit për ndërmarrjen “Trepça” për vitin 2023, tek detyrimet e tjetra afatshkurtra “Trepça” kishte prezantuar tatim në paga i pagueshëm vlerën prej 2 milionë e 157 mijë e 218 euro; te kontributi i pagueshëm e ka paraqitur vlerën 3 milionë e 256 mijë e 317 euro; dhe te interesi dhe ndëshkimi  i pagueshëm në tatim dhe kontribute vlerën 1 milion e 501 mijë e 469 euro.

“Vlen të theksohet që ndërmarrja që nga viti 2020 nuk kishte bërë pagesën për kontributet dhe tatimin në paga për punonjësit e saj, rrjedhimisht nuk janë paguar edhe interesi dhe ndëshkimet në tatim dhe kontribute” – thuhet në raportin e Auditorit.

Sipas ZKA-së, moskryerja e pagesave dhe kontributet dhe tatimet ndaj punëtorëve ndikojnë në rritjen e obligimeve ndaj punëtorëve dhe ATK-së, si dhe krijon detyrime shtesë nga ndëshkimi, interesi dhe paditë të cilat shkaktojnë në vazhdimësi rritje të këtyre borxheve.

“Bordi mbikëqyrës duhet të marrë masat e menjëhershme për shlyerjen e obligimeve ndaj punëtorëve dhe ATK-së në mënyrë që të shmanget rritja e vazhdueshme e kostove shtesë që rrjedhin nga këto obligime, si dhe të trajtoj rastet e punëtorëve të pa deklaruar” – thuhet në rekomandimin e ZKA-së për ndërmarrjen “Trepça”.