Sindikata e Infermierëve: Askush s'po i merr parasysh kërkesat tona

Sindikata e Infermierëve të Kosovës ka zhvilluar një takim me Odën e Infermierëve të Kosovës dhe shoqatat e infermierëve.

Në një konferencë për media pas këtij takimi, përfaqësuesi i Sindikatës, Fitim Havolli, tha se kërkesat e tyre nuk po merren parasysh nga askush.

Ai bëri të ditur se kërkesat e tyre janë rregullimi i çështjes së koeficientit dhe se janë të pakënaqur me pagesat.

“Kemi bërë të ditur kërkesat, janë kërkesa të kahmotshme të këtij komuniteti, sikur koeficienti, për të cilin do të punojmë ta dërgojmë sa më shpejt për votim në Kuvend të Republikës së Kosovës, ndrrimet e natës, kujdestaritë, orët shtesë dhe po ashtu vikendet. Ne në vazhdimësi u kemi bërë thirrje që të ulemi të bisedojmë për t’i shtyrë dhe për t’i konkretizuar këto kërkesa, e jo më vetëm me deklarata”, tha Havolli.

Tutje, ai tha se shumë shpejt, ndoshta brenda javës, me shoqatat dhe Odën e Infermierëve do të marrin një vendim definitiv për veprimet sindikale për realizimin e kërkesave të tyre.

“Edhe pse Sindikata e Infermierëve pati bërë kërkesa të njejta disa ditë më parë, asnjë nga institucionet shtetërore nuk i ka telefonuar për të marrë parasysh kërkesat e tyre”, shtoi ai.
Sindikata e Infermierëve, mamive dhe profesionistë të tjerë shëndetësorë të Kosovës kanë protestuar më 16 shtator në shenjë pakënaqësie për pagesat e tyre.