Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Sindikata dhe Menaxhmenti i RTK-së bien në ujdi për pozitën e Fadil Hoxhës
Si pjesë e procesit të ndëmjetësimit të arritur te Avokati i Popullit mes Sindikatës dhe Menaxhmentit të Radiotelevizionit, RTK ka lëshuar vendim për sistemimin e kryetarit të Sindikatës së Pavarur të RTK-së, Fadil Hoxhës në vend të punës që është në nivel me pozitën që e kishte pasur para degradimit të tij për pesë shkallë që i ndodhi në fund të dhjetorit 2022.
Kjo ndodhi pasi që Inspektorati i Punës (IP), kishte marrë dy vendime që konstatuan që degradimi i Hoxhës për pesë shkallë kishte pasur shkelje ligjore dhe për këtë IP e kishte dënuar RTK-në me 3 mijë euro gjobë.
Vendimi i RTK-së i lëshuar më 19 maj thekson se Hoxhës “do t’i kompensohet diferenca e pagës për periudhën 9.12.2022 deri me 18.05.2023 në shumën prej 935.25 euro”.
Drejtori gjeneral, Shkumbin Ahmetxhekaj ka vendosur që Hoxha të sistemohen në pozitë të njëjtë ose të ngjashme me atë që i përshtat përgaditjes profesionale të tij.
Në vendimin e siguruar nga KALLXO.com thuhet se Hoxha do të sistemohet në vendin e punës “udhëheqës i MCR dhe skemës programore”, pozitë kjo e nivelit të njëjtë me postin e udhëheqësit të njësisë së hulumtimit të cilën Hoxha e kishte mbajtur para degradimit.
“… pas shqyrtimit të këtij rasti, Drejtori i Përgjithshëm ka vendosur që i punësuar, z.Hoxha të sistemohet në vendin e punës Udhëheqës i MCR dhe skemës programore, me koeficient 5 në klasën e pagës 37 të paraparë në Rregulloren Metedologjia e Përcaktimit të Ndërlikueshmërisë së Vendeve të Punës në RTK”- thuhet në vendimin e RTK-së të nënshkruar nga drejtori, Shkumbin Ahmetxhekaj.
Sipas këtij vendimi pas procesit të ndërmjetësimit, Hoxha është zotuar se do të tërhiqet nga të gjitha proceset gjyqësore që kanë të bëjnë me çështjet që janë objekt zgjidhjeje të këtij procesi të ndërmjetësimit.
Hoxha kishte paditur Radiotelevizionin e Kosovës pas degradimit prej pozitës “Udhëheqës i Njësisë së Hulumtimit” në pozitën “Inxhinier përgjegjës”. Ai kishte kërkuar edhe masë të sigurisë të cilën Gjykata e kishte refuzuar.
Avokatura Sejdiu & Qerkini e kishte marrë këtë rast si padi strategjike për të shënuar precedent ligjor të ri në Kosovë në mbrojtjen e sinjalizuesve.
Degradimi i Hoxhës filloi nga preteksti se nuk ishte prezent në zyrë të tij, në kohën kur ai kishte qenë në zyrë të Sindikatës së RTK-së e cila gjendet në ndërtesën e RTK-së, në dhjetor të vitit të kaluar.
Me të marrë këtë vërejtje Hoxha e raportoi rastin në Polici si kërcënim ndaj aktivitetit të tij sindikal, ndërsa menaxhmenti i RTK-së fillon procedurë disiplinore duke e cekur që njëra prej shkeljeve është raportimi i rastit në Polici.
Si rezultat i procedurës disiplinore, e cila u udhëhoq prej Alban Fetahut, shefit të shërbimeve të përbashkëta në RTK, Hoxha degradohet prej pozitës “Udhëheqës i Njësisë së Hulumtimit” në pozitën “Inxhinier Përgjegjës”, pozitë për të cilën ai nuk është i kualifikuar.
Me 25 janar 2023 Inspektorati i Punës ka konstatuar që Alban Fetahu dhe menaxhmenti i RTK-së kanë bërë shkelje me këtë degradim dhe i kanë dhënë afat RTK-së për të përmirësuar gabimet.
Ndërsa në prill të këtij viti shkalla e dytë e Inspektoratit të Punës ka vërtetuar dënimin prej 3 mijë euro ndaj Radiotelevizionit të Kosovës në rastin e degradimit të kryesindikalistit Hoxha për pesë shkallë.
Gjoba që IP i ka caktuar RTK-së prej 3000 euro mbetet në fuqi edhe pas këtij ndërmjetësimi.