Sindikata: Aeroporti i Prishtinës nga janari ka larguar nga puna 54 punëtorë

Aeroporti ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” që nga janari ka larguar nga puna 54 punëtorë të sektorëve të ndryshme.

Kështu kanë thënë përfaqësuesit e Sindikatës së punëtorëve të Aeroportit të Prishtinës “Adem Jashari”,  të cilët këtë largim e konsiderojnë si “hakmarrje” për grevën të cilët punëtorët e kanë mbajtur në gusht.

Alush Sejdiu, kryetar i Degës për Komunikacion dhe Lidhje ka thënë që të larguarit pavarësisht që kanë edhe një muaj të punojnë aty u janë marrë të gjitha mjetet e punës.

“Siç jeni të informuar dje ka ndodhur një largim masiv i punëtorëve është një lloj paralajmërimi për njoftimin e punëtorëve që me datën 3 prill nuk do të ju vazhdohen kontratat, është një shkelje e të gjitha ligjeve për shkak që ju kanë marrë pajisjet e punës”, tha ai.

Sejdiu ka thënë që këto largime po bëhen për shkak të grevës që këta punëtorë kanë mbajtur.

“Aq më keq kjo ka ndodhur në procesin e inspektoratit të punës, ku është duke u bërë inspektim për largimin e menjëhershëm të 20 punëtorëve. Punëtorat janë duke u provokuar qysh prej vitit të kaluar, këtu ka njerëz që janë mbajtur 2/3 punëtorë sezonal. Ka diferencim në paga për profesione të njëjta, nuk ka shujta”,  theksoi ai.

Sipas tij, ky veprim i ndërmarrjes është një “hakmarrje klasike”.

“Është keq që u ndërpritet kontrata e punës atyre qe kanë dal në greve për ti kërkuar të drejtat që ja u garanton ligji. Për neve si sindikatë kjo është një hakmarrje klasike”, shtoi ai.

Hamëz Krasniqi, Nënkryetar i Sindikatës po ashtu njëri prej të larguarve tha që për 17 vite ka punuar në këtë ndërmarrje.

“Unë jam njëri nga të larguarit, në mëngjes pata thirrje telefonike që të lajmërohem në ora 3 tek burime njerëzore, ku drejtori më ofroi një letër e cila nuk ka asnjë arsye përveç asaj qe nuk është në gjendje të vazhdoj kontratën. Qëllimi po dihet, vetëm pse jam në hierarkinë e shoqatës sindikale. Qamil Muqolli që 20 vite punon është largu pa asnjë arsye, ne jetën e kemi lënë aty. Jemi kërcënuar ju kanë thanë punëtoreve keni me pa kur të vazhdohen kontratat”, tha ai.

Ai kërkoi nga menaxhmenti që të revokohen këto vendim të cila ai i konsideron të padrejta.

“Kjo është e papranueshme dhe ju bëjë thirrje që ti tërheqin këto vendime, dhe të na kthejnë vendet e punës. Familja ime e ka pritur me pikëllim të thellë, për shkak që buka e fëmijëve ndërpritet. Nuk ka asnjë arsye, dihet puna jonë”, shtoi ai.

Driton Ademi, Nënkryetar i Sindikatës, tha që arsyeja e këtij largimi masiv është greva e gushtit e këtyre punëtorëve.

Ai tha që nga kjo grevë menaxhmeti ka filluar me presion ndaj punëtorëve.

“Që nga gushti menaxhmeti ka vazhduar me një sjellje agresive në raport me punëtorët. Që nga përfundimi i grevave ka filluar duke i dërguar në komisione, largime, ulje të pagave. Që nga janari janë larguar 57 punëtorë. Përkundër që kanë njoftim për shkëputje të kontratës ju kanë marrë ID. Dje janë larguar 28 punëtorë brenda ditës”, theksoi ai.

KALLXO.com ka kontaktuar Aeroportin e Prishtinës për këto largime, mirëpo të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

KALLXO.com ka raportuar për largimin pa paralajmërim të mbi 20 punëtorëve nga aeroporti.

Aeroporti i Prishtinës largon nga puna pa paralajmërim mbi 20 punëtorë