Sindikalistët e Shëndetësisë kërkojnë rikthimin e Kontratës kolektive dhe dialogut social

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSShK), më 14.11.2024, ka protestuar para Ministrisë së Shëndetësisë duke kërkuar rikthimin e Kontratës kolektive dhe hapjen e dialogut social.

Kryetarja e FSShK-së, Tevide Imeri tha se kjo Qeveri nuk i sheh sindikatat si partnerë, por si armiq.

“Kjo qeveri nuk do sindikata, nuk do dialog social me sindikatat. Thjesht nuk po i sheh si partnerë për dialog social, por si armiq. Më vjen shumë keq ta them, [sepse] është fjalë e rëndë, megjithatë na kanë sjellë në këtë situatë” – tha ajo.

Imeri njoftoi se një javë më parë kanë mbajtur një takim me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, të ftuar nga vetë ai, pas lajmërimit të protestës.Por, ky takim, sipas saj, nuk ka qenë aspak i kënaqshëm për ta, pasi është mbajtur vetëm sa për “sy e faqe”.

“Takimi rezultoi aspak i këndshëm për arsye se u thanë gjërat e njëjta që janë thënë edhe në media. Për Kontratën kolektive thotë se është një kapitull i mbyllur dhe s’duhet të bisedojmë. Dhe kjo ishte çudia pse na ka thirrë. Ishte e paqartë, pse na ka thirrë në qoftë se është e mbyllur kjo çështje” – u shpreh ajo.

Kryetarja Imeri shtoi se kanë biseduar edhe për propozimin e Qeverisë për ngritjen e njësisë së koeficientit për 0.5 në gjashtë muajt e parë të 2025-tës dhe 0.5 të tjera në gjashtë muajt e dytë.

E sipas saj, edhe në Ministri janë po aq konfuzë sa edhe vetë ata, se si do të bëhet rritja.

“Kemi kërku me na tregu mënyrën si do të bëhet, ju betohen se nuk kanë një përgjigje të saktë. Ata janë konfuz për mënyrën se si do të rritet dhe sipas asaj që e morëm në takim, as ministri nuk është se e kishte idenë se si është bërë rritja” – tha Imeri.

Këtë premtim, sindikalistët po e shohin si pjesë të fushatës zgjedhore, pasi që siç thonë, rritja e njësisë së koeficientit bëhet vetëm përmes plotësim/ndryshimit të Ligjit për Paga.

“Minimum koeficienti duhet të rritet për një njësi, sidomos për infermierët dhe stafi mbështetës.  Edhe nëse rritet për 2 koeficienti, nuk kanë me e mbërri standardin që e kanë pas para hyrjes në fuqi të Ligjit të Pagave” – shtoi ajo.

Ata janë të pakënaqur edhe me mosekzekutimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese i cili obligon Kuvendin ndryshimet e disa neneve të këtij Ligji, që Kushtetuesja i vlerësoi si të pavlefshme.

Sindikalistët u zotuan se do të vazhdojnë protestat deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje për KALLXO.com tha se ka pasur një seri takimesh me FSShK-në, por temat e ngritura nga përfaqësuesit e saj janë të “paqarta dhe evazive”.

“Në takime, drejtuesit e Federatës kanë pretenduar se disa punëtorëve shëndetësorë u është ulur paga, por kjo nuk ka rezultuar të jetë e vërtetë. Paga e punëtorëve shëndetësorë – për mjekët, infermierët dhe profilet e tjera shëndetësore – ka pësuar vetëm rritje” – është thënë nga Ministria.

Rritja e pagave në vitin 2025, sipas MSh-së do të tejkalojë edhe kërkesat e Federatës për rritje.

“Sa i takon çështjes së kontratës kolektive, është e qartë që institucionet përkatëse do të diskutojnë në nivel kombëtar me organizatat sindikale, por gjithmonë në përputhje me ligjet në fuqi” – thuhet në përgjigjen e MSh-së, e cila thotë se është e hapur për të vijuar takimet e bisedimet me Federatën.

 

Shënim: Teksti është përditësuar në ora 16:28 me përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë