Sindikalistët paralajmërojnë masa sindikale për mbrojtjen e Telekomit nga Zmobile

Gjykata Themelore Prishtinë ia ka njohur të drejtën kompanisë “Dardafone.net LLC” për përmbarimit (realizimin) e borxhit milionësh duke ia refuzuar prapësimin (kundërshtimin) e parashtruar nga Telekomi i Kosovës.

Pas këtij vendimi të Gjykatës kanë reaguar nga Federata Sindikale e Pavarur (FSP) e PTK-së duke paralajmëruar 2,350 sindikalistë janë të gatshëm të mbrojnë Telekomin, përmes formave të organizimit sindikal të parapara në ligj.

Sindikata në reagimin e tyre kanë thënë se gjendja e rëndë në Telekomin e Kosovës, në masë të madhe ka ndodhur edhe për shkak të kontratës me Dardafone.net. Sindikata obligimin që dalin nga vendimi i Arbitrazhit e kanë quajtur zhvatje të Telekomit të Kosovës. Ata kanë kërkuar që të hetohet procesi i Arbitrazhi meqë sipas tyre ka pas shkelje procedurale dhe se i njëjti duhet të anulohet.

Në fund Federata Sindikale ka paralajmëruar se çdo tentim që të bllokohen xhirollogaritë me përmbarim në gjendjen aktuale për Telekomin e Kosovës do të sjell kaos social.

“Punëtorët e Telekomit të Kosovës do të dinë ta mbrojnë kompaninë ku punojnë e që është 100% e popullit të Kosovës”, thuhet në reagimin e tyre.

“Dardafon.net LLC” ka operuar me emrin tregtare “Z-Mobile” si operator virtual i telefonisë mobile dhe 90% të aksioneve të kompanisë janë të Blerim Devollit.

Kontesti në mes të kompanisë “Dardafon.net LLC” dhe ndërmarrjes publike Telekomi i Kosovës zanafillën e ka në marrëveshjen e lidhur më datë 16 janar 2009. Marrëveshja parashihte që “Z-Mobile” të jetë operator virtual i telefonisë mobile “Vala”.

Në maj të vitit 2017 Telekomi i Kosovës dhe operatori “Z-Mobile” kishin njoftuar se kishin arritur marrëveshje lidhur me vendimin e Arbitrazhit, i cili e obligonte Telekomin t’i paguante rreth 30 milionë euro dëmshpërblim operatorit “Z-Mobile”.

Marrëveshja e arritur në vitin 2017 ishte zbatuar pjesërisht. Më vonë, Telekomi i Kosovës ju ka referuar se borxhi i mbetur nga Z-Mobile është rreth 25 milionë euro, mirëpo asnjëherë nuk i kanë publikuar detajet e uljes së borxhit.

Telekomi i Kosovës kishte vendosur të mos e vazhdojë më kontratën me Dardafone për operatorin virtual Z-Mobile.

Pas këtij vendimi, në nëntor të vitit të kaluar Z-Mobile kishte paralajmëruar padi të re kundër Telekomit të Kosovës.