Sindikalistët e ATK-së kërkojnë shtesa për punëtorët, për të enjten paralajmërojnë grevë

Sindikata e Punëtorëve të Administratës Tatimore të Kosovës, i është drejtuar më kërkesa Qeverisë së Kosovës dhe ka paralajmëruar se do të mbajë grevë një orëshe, duke i ndërprerë të gjitha shërbimet për tatimpaguesit me datën 20 maj.

Greva sipas njoftimit të kësaj sindikate, është rrjedhojë, për siç thonë ata e ‘neglizhimit dhe mos realizimit të kërkesave të punëtorëve dhe diskriminimit të tyre krahas institucioneve tjera’.

Sindikata e punëtorëve të ATK-së, përpos kompensimeve të shpenzimeve dhe përfshirjes në pakon fiskale e të gjithë stafit, ka kërkuar edhe që të ndryshohet statusi i ATK-së nga agjenci ekzekutive në “Agjenci me status të veçantë”.

KALLXO.com ka kontaktuar me kryetarin e sindikatës së punëtoreve të ATK-së, Haki Gashin.

Gashi ka thënë se edhe punëtorët e ATK-së kanë të drejtë në shtesa, sikurse zyrtarët policorë dhe zjarrfikësit, për të cilët thotë se kanë qenë më pak të rrezikuar nga COVID19 krahasuar me punonjësit e ATK-së.

“Puna e ATK-së nuk është veç punë me palë. Po kërkojmë që të gjithëve me ju taku shtesat, nëse ka shtesa për polic, zjarrfikës të cilët kanë qenë ma pak të rrezikuar se ne, pse me marrë ata e na jo”, tha Gashi.

Ai u ankua edhe për kushtet e punës në zyrat e drejtorisë Prishtina 1 dhe 2 të cilat sipas tij janë të tmerrshme.

“Po ashtu kushtet e vendit të punës në drejtoritë Prishtina 1 dhe 2, janë krejtësisht të tmerrshme që s’kanë as ndriçim”, tha Gashi.

Ai shtoi se në rast të mosrealizimit të kërkesave të tyre, greva do të vazhdojë.