Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Sinani: Do ta auditojmë qeverisjen e Shqiprim Arifit

Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani ka deklaruar se veçse kanë filluar me reformat në qeverisje, duke filluar nga transparenca ndaj qyetarëve të kësaj komune.

“Ne veçse kemi filluar reformat në qeverisje. Reformat e para i kemi filluar me transparencën ndaj qytetarëve të komunës së Preshevës. Kemi hapur dyert që kanë qenë të bllokuar sikurse të jetë në ndonjë spital apo burg të nivelit të lartë. Pastaj kemi filluar reformat dhe qysh në mbledhjen e parë të këshillit komunal, kemi caktuar komisione të posaçme, kemi ndarë resore sa i përket përbërjes së anëtarëve të këshillit që secili të drejtoj resore të caktuara siç janë arsimi, shëndetësia etj”, tha Sinani në emisionin “KALLXOPërnime”.

Kryetarja deklaroi se do të kontraktojnë një auditor për të parë se si janë menaxhuar paratë e taksapaguesve, gjatë qeverisjes në kohën e ish-kryetarit Shqiprim Arifi.

“Jemi duke kontraktuar një auditor brenda administratës për të parë si janë menaxhuar paratë publike e  taksapaguesve tanë, dhe mjetet e buxhetit. Kemi dyshime për keqpërdorime të shumta, por ato janë në hetim e sipër, të cilat do t’i publikojmë më vonë..Vitëve të fundit nuk është auditu.. Do të hetohen aty ku po dyshojmë se ka keqpërdorime tek mjetet e buxhetit në disa pozicione që janë dhënë para zgjedhjeve; pllaka, shtylla elektrike, zall, jo vetëm tenderet. Po ashtu edhe në ndarjen e mjeteve për media, pa konkurse, anti-ligjore me urdhër të kryetarit të Komunës. Iu kanë nda mjete televizionit që ka bë fushatë pro z.Arifi”, tha ajo.

Ajo deklaroi se vendimet “e dëmshme” të marra nga qeverisja e kaluar nuk do të vazhdojnë, kurse ato të mira do vazhdojnë.