Malcolm Howard Simmons, gjyqtar i dorëhequr i EULEX-it. Foto: EULEX/Video

Simmons: Shumë zyrtarë në EULEX duan vetëm t’i mbushin 'xhepat me ar' - VIDEO

Malcolm Simmons, ish-kryetar i Asamblesë së Gjyqtarëve në misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX) ka thënë se shumë zyrtarë të këtij misioni vetëm duan të pasurohen.

Kështu tha ai teksa po raporton në Komisionin Parlamentar të Kosovës për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit.

“Shumë zyrtarë në EULEX, duan t`i mbushin xhepat e tyre me ar. Duan të pasurohen dhe kanë shumë pak interes për Kosovën dhe qytetarët e saj”, tha ai duke shtuar se në këtë mision ka edhe punëtorë të ndershëm.

Simmons ka shtuar se në EULEX ka pasur “gjyqtarë të preferuar” të cilëve nuk iu ka konvenuar që të përfundojë misioni i tyre në Kosovë.

Për këto pretendime, anëtari i Komisioni nga LDK-ja, Armend Zemaj tha se të njëjta janë shqetësuese.

“Deklaratat tuaja kanë ngritur konfuzion rreth misionit të EULEX-it sidomos në sundimin e rendit të ligjit, por edhe të pjesës ekzekutive të drejtësisë në Kosovë. Mendoj që kjo intervistë e juaja do të ndihmojë në qartësim të situatës. Pretendimet për mua janë shqetësuese duke marr për bazë që ne kemi shpresuar dhe besuar që EULEX do të sjell  drejtësi”, tha ai.