Malcolm Simons

Simmons: Ja kur nisën problemet në EULEX

Ish shefi i gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simons në një intervistë ekskluzive për emisionin “Udhëve” të RTK-së ka folur gjerë e gjatë për skandalet në misionin evropian për sundimin e ligjit.

Fillimisht ai ka thënë se ka filluar të punoi për EULEX-in në vitin 2008, duke shërbyer si gjykatës ndërkombëtar i gjykatës së Bosnjës dhe Hercegovinës nga viti 2004 deri në vitin 2008.

“Mua më caktuan në panelet speciale për krime lufte, krime të rënda dhe krim të organizuar”, ka thënë Simmons.

Simmons tha se në vitin 2008 ka aplikuar për një pozitë si Gjyqtar Penal në Nivelin e Gjykatës së Qarkut me EULEX-in.

“Kalova përmes procesit të përzgjedhjes me Zyrën e Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar dhe Zyra e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar e dorëzoi kërkesën time tek njerëzit përkatës në Bruksel, dhe më pas u intervistova nga një panel i gjyqtarëve të EULEX-it që përfshinte Presidentin e atëhershëm të Gjyqtarëve të EULEX-it. Në vitin 2014 mua më përzgjedhjen dhe unë u emërova në pozitë si Kryetar i Gjyqtarëve të EULEX-it, pasi isha intervistuar nga një panel i stafit të lartë dhe gjykatësve të EULEX-it në Prishtinë dhe gjithashtu i Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm në Bruksel. Në fund, kualifikimi im për të shërbyer si gjyqtar ishte vënë në pikëpyetje, dhe mund të jetë interesante për ju të dini se në vitin 2016 mua më emëruan si gjykatës i Dhomave të Specializuara të Kosovës, duke u intervistuar nga një panel gjykatësish të shquar dhe shumë të lartë të cilët shërbenin në Gjykatat Ndërkombëtare”, ka shtuar tutje ai.

I pyetur kur ka filluar ngritjen e shqetësimeve rreth funksionimit të rasteve me të cilat po merrej EULEX-i, Simmons ka thënë se ankesa e tij e parë zyrtare ishte në vitin 2013, dhe ajo kishte të bënte me ndërhyrjen në një çështje penale të profilit të lartë, dhe ai raport iu drejtua drejtpërdrejt Ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë.

“Më pas u takova me Ambasadorin, gjithashtu unë bëra ankesë tek menaxhmenti i lartë i EULEX-it për sjellje të tjera të pahijshme dhe shkelje që po ndodhnin brenda Misionit, dhe e gjithë kjo është e dokumentuar dhe ato prova unë do t’i dorëzoj përpara Komisionit Parlamentar”, ka thënë britaniku. RTK