
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Simiq i Listës Serbe dyshohet se u lëndua nga një gotë e thyer në një lokal, Policia po kryen intervistime
Zyrtari nga Lista Serbe, Igor Simiq, dyshohet se është lënduar mbrëmjen e datës 24.12.2024 në një lokal në Zveçan.
Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë-Veriu të Policisë së Kosovës, Veton Elshani.
Sipas Elshanit, Simiq ka pësuar një prerje mbi vetullë nga disa xhama të një gote që është thyer në lokalin ku ka qenë.
“Sipas informacioneve që ne kemi mbrëmë gjatë festimit në një lokal në Zvecan, një person e ka thy një gotë dhe xhamat e asaj gote e kanë lëndu një person” – ka thënë Elshani, më 25.12.2024.
Megjithatë, Elshani thotë se nuk kanë rast të hapur deri më tani dhe janë duke u marrë me intervistimin e personave të përfshirë në këtë ngjarje.
KALLXO.com e ka kontakuar kryetarin e Listës Serbe, Zlatan Elek por nuk e ka hapur telefonin dhe më pas i janë dërguar pyetjet personalisht dhe në adresë elektronike të Listës Serbe për këtë rast.
Deri në publikimin e këtij artikulli, KALLXO.com nuk ka marrë përgjigje nga Elek apo Lista Serbe.