Foto: Federata Shqiptare e Futbollit

Silvinjo merr drejtimin e kombëtares së Shqipërisë në futboll, më 9 janar bëhet prezantimi

Trajneri brazilian, Sylvio Mendes Campos Júnior, ka marrë drejtimin e kombëtares së Shqipërisë në futboll.

Lajmin e ka bërë të ditur Federata Shqiptare e Futbollit në faqen e saj zyrtare ku edhe ka njoftuar për marrëveshjen e arritur.

Seleksionues të ri i kombëtares shqiptare do ta zëvendësojë italianin Edoardo Reja, i cili për tri vjet e gjysmë kishte udhëhequr kuqezinjtë.

Sylvio Mendes Campos Júnior, i njohur për publikun si Silvinjo, ka përzgjedhur si ndihmës të tij argjentinasin Pablo Javier Zabaleta Girod dhe brazilianin Dorival Guidoni Junior.

Sipas njoftimit, marrëveshja mes FSHF-së dhe stafit të ri drejtuar nga Silvinjo parashikon një kohëzgjatje 18-mujore deri në përfundim të Euro 2024.

“Marrëveshja ka në thelb të saj arritjen e objektivit të vetëm që ka Shqipëria në këto eliminatore, kualifikimi për në finalet e Euro 2024. Në rast të arritjes së objektivit është rënë dakord që trajneri dhe stafi i tij të përfitojnë bonuse të konsiderueshme” – thuhet në njoftim.

48-vjeçari Silvinjo ka drejtuar Lyonin dhe Corinthiansin.

Si lojtar kishte qenë pjesë e skuadrave si Arsenali, Barcelona, Celta Vigo e Manchester City.

Më datë 9 janar, Silvinjo dhe stafi i tij do të jenë në Tiranë për të nënshkruar kontratën dhe më pas për të bërë prezantimin e tyre në ora 11:00 në sallën e stadiumit “Air Albania”.