Karaçevë - 18.09.2020, Foto: Adelinë Ahmeti- KALLXO.com

Sillen në Gjykatë 30 nga 35 të arrestuarit për kazinotë në Karaçevë

35 persona, prej tyre 12 zyrtarë policorë, janë arrestuar të premten në mbrëmje në aksionin e Policisë, Prokurorisë dhe Inspektoratit Policor të Kosovës kundër kazinove ilegale në fshatin Karaçevë të Kamenicës.

30 prej tyre pritet të dalin para gjyqtarit të procedurës paraprake për masën e sigurisë.

Prokurorja e rastit, Rozelida Manastiri, ka kërkuar nga Gjykata që të arrestuarit për kontrabandë e lojëra të fatit në Karaçevë të dërgohen në paraburgim për një muaj në mënyrë qe të vazhdojnë të hetohen gjatë asaj periudhe.

Ekipe të Inspektoratit Policor të Kosovës kanë qenë duke përcjellë zyrtarët policorë të arrestuar për ndihmë në kontrabandë dhe në lojëra të fatit në Karaçevë, të cilët sot dolën para Gjykatës në Gjilan.

Ekipet e IPK-së kanë sjellë zyrtarët policorë në Gjykatë.

KALLXO.com po qëndron para Gjykatës në Gjilan ku po pret edhe ardhjen e personave të tjerë të arrestuar.

Gjithashtu jashtë rrethojave të Gjykatës ekipi i KALLXO.com ka parë familjarë të personave të arrestuar në aksionin në Karaçevë.

Gjatë ditës së djeshme është arrestuar edhe zyrtari policor me inicialet F.L., i cili natën e aksionit në Karaçevë ishte arratisur ndërsa dje kishte vendosur që t’i përgjigjej organeve të rendit.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për operacionin e prokurorisë, IPK-së, Policisë në lidhje me mbylljen e kazinove në fshatin Karaçevë shumë pak kilometra larg pikës kufitare që lidh Kosovën me Serbinë.

Karaçeva është konsideruar një zonë e paprekur nga organet e rendit të Kosovës për shkak që e njëjta është nën mbikëqyrje të KFOR-it por të premten institucionet e Kosovës treguan se kjo zonë nuk është më e paprekshme ndërsa u rrënuan 12 objekte të cilat funksiononin si kazino ilegale në po këtë zonë.