Siguria publike, u diskutua në nivelet më larta policore në vend

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, gjatë ditës së sotme përmes platformës digjitale ka realizuar një takim zyrtar me zëvendësdrejtorët, drejtorët e departamenteve, divizioneve dhe drejtorët rajonal, për të diskutuar rreth realizimit të objektivave dhe planifikimeve operacionale të Policisë së Kosovës.

Në njoftimin e policisë thuhet se në këtë takim u diskutuan tema të rëndësishme që ndërlidhen me sigurinë publike, me theks të veçantë siguria në trafikun rrugor, masat kundër COVID-19, integriteti policor, siguria në shkolla dhe informatat inteligjente.

“Të gjitha këto ndikojnë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, parandalimin e krimit dhe ruajtjen e shëndetit publik. Porosia e këtij takimi ishte, vazhdimi i angazhimit dhe përkushtimit të mëtejmë në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive në mënyrë profesionale nga të gjitha nivelet, duke ngritur përgjegjësinë në menaxhim dhe mbikëqyrje, me qëllim të një shërbimi sa më efikas karshi qytetarëve dhe vendit”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Policia në komunikatë ka thënë se do të vazhdoj të ketë prioritetet bashkëpunimin me qytetarët dhe institucionet relevante, bashkëpunim ky i cili rezulton drejtpërsëdrejti në ngritjen e mëtejme të imazhit dhe besueshmërisë në polici.