Mjeku - Foto: REL/Shutterstock

Sigurimet shëndetësore – “Peshku n`det, tigani në zjarr”

Ndonëse të ngopur me premtime që nuk u mbajtën, qytetarët kosovarë janë të vetmit në Ballkanin Perëndimor që nuk kanë sigurime publike shëndetësore. Pavarësisht votimit të projektligjit të ri për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor nga Qeveria më 28.08.2024, funksionalizimi i tyre është ende larg në horizont.

Njohësit e shëndetësisë po e shohin këtë proces si të vështirë dhe të gjatë, ndërsa opozitarët vlerësojnë se ky votim është kampanjë zgjedhore.

Zbatimin e këtij ligji, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia e cilësoi si një ndër sfidat kryesore të kësaj Qeverie.

Në bazë të kronologjisë së kësaj nisme, të gjendjes aktuale të sistemit shëndetësor dhe mosplotësimit të parakushteve të nevojshme, votimi i këtij projektligji mund të krahasohet me fjalën e urtë popullore “peshku në det, tigani në zjarr”.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha pas miratimit të projektligjit se ky është një moment vendimtar për vendin dhe se ky është hapi themelor drejt krijimit të sigurimeve shëndetësore.

Vitia në fushatën zgjedhore të vitit 2019 kishte premtuar që sigurimet shëndetësore do të funksionalizohen brenda katër viteve. Parakusht për funksionalizimin e tyre është zbatimi i Sistemit Informativ Shëndetësor (SISh), për të cilin Vitia pati thënë se merr optimalisht 2 vjet kohë.

Të njëjtat fjalë, ministri i tha edhe më 26.04.2024. Atë ditë, ai po ashtu tha se projektligji do të procedohet në Kuvend në fund të prillit ose në fillim të majit.

Mosplotësimin e këtij premtimi që ai e pati dhënë në fushatën zgjedhore të vitit 2019, Arben Vitia e ka arsyetuar me pandeminë COVID-19, për të cilin tha se ka ndryshuar prioritetet.

Sigurimi shëndetësor është sistem për financimin e shpenzimeve mjekësore me anë të kontributeve ose taksave të paguara në një fond të përbashkët për të paguar të gjitha ose një pjesë të shërbimeve shëndetësore të përcaktuara me ligj a politika të tjera.

Pak shpresë për funksionimin e sigurimeve shëndetësore

Edhe pse projektligji u votua, në opinion ka pak shpresë se sigurimet shëndetësore do të mund të funksionalizohen së shpejti.

Specialisti i shëndetit publik, Ilir Hoxha nuk mund të japë një datë se kur ato mund të realizohen, por e sheh si projekt të vështirë për t’u realizuar. Ndërsa, kryetari i Shoqatës së Pacientëve, Besim Kodra thotë se në versionin më të mirë, sigurimi i mirëfilltë mund të bëhet për 5 vite.

Hoxha nuk e sheh problemin te ligji, por te implementimi i tij. Ai thotë se janë dy çështje kryesore për të cilat duhet punuar edhe institucionet edhe qytetarët: konsensusi nacional dhe ndërtimi i elementeve të sigurimit shëndetësor.

“Kur ka me u bo, nuk mundem me thanë. Që 25 vjet nuk është bo hiç. Janë mundu të ndryshëm edhe nuk u kanë problemi te ligji po te implementimi. Kur erdh LDK-ja e mbushi fondin e sigurimeve me familjarë, edhe ski njerëz që mujnë me e kry këtë punë. Nuk e di qysh kanë me e kry, cila do parti që vjen, s’ka lidhje cila kur nuk ki kapacitet” – thotë ai.

Sigurimet shëndetësore, sipas tij, janë keqkuptuar dhe idealizuar, pasi që ato janë vetëm një formë se si financohet shëndetësia, që mund ta rregullojë tregun shëndetësor dhe të rrisë fondet në këtë sektor.

Diçka tjetër që Hoxha thekson është se shëndetësia është ndër ekonomitë më të shtrenjta dhe dikush duhet të paguajë për të.

“… ose qytetari ose qeveria, jo prej donacioneve të jashtme, se është shtrenjtë. Esenca është me i gjetë këto hapësira buxhetore. Për shembull qytetarët a po dojnë me pagu frizura ose kerret e mira apo sigurimin shëndetësor ose edukimin. Momentalisht ne kemi preferencë për vetura, banesa, frizura e fustane që i kemi nëpër dasma, e për shëndetësi presim dikush tjetër me na e pagu. Nuk funksionon ashtu” – thotë Hoxha.

Prandaj, konsensusi, sipas tij duhet të ndërtohet mes qytetarëve, faktorëve politikë e atyre ekonomikë, ku të gjitha palët definohen dhe përkushtohen për këtë çështje.

Sa i përket institucioneve, Hoxha thotë se ato duhet të ndërtojnë një strukturë profesionale që i menaxhon të gjitha elementet e sigurimit shëndetësor, përfshirë mbledhjen e premiumeve, caktimit të pakos bazike (të shërbimeve shëndetësore) e kontraktimit të institucioneve shëndetësore publike e private.

“Përndryshe veç mundemi me ëndërru që ka me u bo një sistem i mirëfilltë i sigurimeve apo i financimit shëndetësor” – shtoi Hoxha.

Edhe Kodra e sheh si kompleks implementimin e sigurimeve shëndetësore, duke qenë se ato prekin shumë dikastere qeveritare, jo vetëm shëndetësinë.

“Problematike mbetet fakti që nuk po punohet mjaftueshëm në këtë drejtim, pasi që nuk ka ende listë të shërbimeve, çmimore të barnave, Sistem Informativ Shëndetësor (SISh), staf të kualifikuar e të mjaftueshëm, institucionet nuk janë në gjendje të mirë për të shitur shërbime e të tjera” – tha Kodra.

Por, ai i sheh sigurimet shëndetësore të një rëndësie jetike për qytetarët e Kosovës, pasi që siç thotë ai lehtësohet qasja në shërbime shëndetësore në aspektin ekonomik, e sidomos për shtresat e varfra.

Votimi i projektligjit – “kampanjë zgjedhore”

Votimi i këtij projektligji, i cili ka qenë në agjendën legjislative prej vitit 2021, vetëm 5 muaj para zgjedhjeve të ardhshme nacionale, po shihet si kampanjë zgjedhore nga deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj.

“Koha kur po sillet ky ligj në kuvend, mënyra dhe urgjenca, imponojnë faktin se kjo është duke u bërë për kampanjë zgjedhore, sa për sy e faqe, assesi për të mirën e qytetarit” – tha Dreshaj.

Edhe ai mendon se për zbatimin e ligjit, që ai e konsideron të vonuar, duhen minimum tri-katër vite, që qytetari ta ndiejë efektin e sigurimeve.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu akuzon Qeverinë për mashtrim e demagogji duke thënë se ajo ka shpenzuar 4 vite për të miratuar një projektligj, kur veçse ekziston një ligj i miratuar.

“Kjo jo vetëm që është mashtrim e demagogji, por na tregon se këta nuk kane lidhje me menaxhimin në shëndetësi dhe nuk kane ndjeshmëri për vuajtje të pacientëve” – tha Haxhiu.

Deputeti Shemsedin Dreshaj, i cili ka ngritur disa herë cështjen e sigurimeve shëndetësore edhe në Kuvend thotë se për implementim të suksesshëm të këtij ligji duhen plotësuar disa parakushte: informatat e sakta që dalin nga SISh-i, aktualisht jofunksional, pakoja bazike e shërbimeve shëndetësore, kosotoja e pakos bazike, kostoja e kategorive që nuk paguajnë si fëmijët, invalidët, studentët e ata me asistencë sociale.

Të pyetur se a do ta votojnë apo jo këtë ligj në Kuvend, Dreshaj tha se ligjet që përmirësojnë mirëqenien e qytetarëve, janë interes i veçantë i AAK-së, ndërsa Haxhiu tha se ligji ende s’ka shkuar në Kuvend e nuk u është ofruar deputetëve për t’u lexuar.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, në mandatin e të cilit ishte votuar Ligji për Sigurimin Shëndetësor, i cili është në fuqi, thotë se me këtë qasje qeverisëse do të shkojë edhe shumë kohë deri në funksionalizimin e sigurimeve.

Miratimin e këtij projektligji në këto rrethana, ai e vlerëson si improvizim politik të radhës që do të krijojë edhe më shumë huti në sektorin e shëndetësisë.

Agani mendon se problemi nuk është te ligjet që janë në fuqi, por te mungesa e zbatimit të tyre.

“Ligjet në fuqi i shëndetësisë dhe sigurimit shëndetësor janë pjesë e pakos gjithëpërfshirëse reformuese që në qendër e ka ndarjen e plotë të blerësit të shërbimeve shëndetësore (Fondit të sigurimeve shëndetësore – FSSh) dhe ofruesit të këtyre shërbimeve në nivelin dytësor dhe tretësor të kujdesit shëndetësor, Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar – SHSKUK, që në mënyrë absurde mbeti deri në ditët e sotme, qe dhjetë vite, si organizatë buxhetore” – thotë Agani.

Pa vendosjen e marrëdhënieve kontraktuale ndërmjet këtyre dy institucioneve, sipas ish-ministrit “nuk mund të ketë funksionim normal të këtyre dy institucioneve dhe zhvillim të SISh-it si hallkë esenciale të këtij zinxhiri reformues”.

Ligjin në fuqi, Agani e quan cilësor dhe thotë se ka pasur mbështetje të plotë të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, sepse siç thotë ai, ligji është draftuar në bashkëpunim të plotë me ekspertët e këtyre dy institucioneve ndërkombëtare.

Çka tha Qeveria për këtë projektligj?

Shuma e të ardhurave që do të shkojnë për Fondin e Sigurimit Shëndetësor, sipas Ministrit Vitia do të jetë 7 për qind, njëjtë sikurse në ligjin aktual. Kjo vlerë do të ndahet mes punëmarrësit dhe punëdhënësit, me nga 3.5 për qind secili.

Fondi është institucioni përgjegjës për mbledhjen e premiumeve, por duke qenë se ato nuk u mblodhën kurrë, aktiviteti i tij kufizohet në rimbursimin e trajtimit e pacientëve jashtë institucioneve shëndetësore publike.

Aktualisht, në Kosovë është në fuqi Ligji për Sigurimin Shëndetësor, i cili u miratua në vitin 2014, mirëpo nuk u zbatua asnjëherë plotësisht.

Kreu i shëndetësisë tha se kanë analizuar me kujdes të gjitha sfidat dhe mangësitë e sistemit shëndetësor dhe kanë studiuar praktikat më të mira ndërkombëtare për të krijuar një ligj i cili i përgjigjet nevojave të qytetarëve të Kosovës dhe që do të jetë i zbatueshëm edhe në realitetin kosovar ekonomik e social.

“Po rregullohen edhe çështjet për mbledhjen e kontributeve nga qytetarët për fondin e sigurimeve, këto kontribute do të jenë një nga burimet e rëndësishme të financimit të shëndetësisë në të ardhmen e afërt. Kështu buxheti që ndahet për shëndetësinë do t’i shtohet edhe kontributi i secilit prej nesh nga të hyrat personale”  – tha ministri Arben Vitia.

Sa i përket SISh-it, Vitia tha se kanë nënshkruar marrëveshjen me Bankën Botërore për financimin e planit të veprimit, pas përfundimit të studimit të fizibilitetit për SISh-in. Kjo marrëveshje duhet të miratohet në Kuvendin e Kosovës.

SISh-i bën menaxhimin e e të dhënave të pacientëve, përfshirë mbledhjen, ruajtjen, përpunimin, menaxhimin, transmetimin dhe raportimin e të dhënave të nevojshme elektronike në të gjitha nivelet e shërbimeve shëndetësore.

Megjithatë, një ditë para votimit të projektligjit, Kryeministri Albin Kurti i pyetur për sigurimet shëndetësore dha deklarata që nxitën reagime e kritika.

Shefi i Qeverisë tha se qytetarët vecse paguajnë pak ose fare pak për shumicën e shërbimeve shëndetësore e se sigurimet nuk janë një lloj shkopi magjik, i cili do të parandalojë ose eliminojë sëmundjet.

Ligji 10-vjeçar i pazbatuar

Në vitin 2007 ishte miratuar ligji për këtë sigurimet shëndetësore, por asnjëherë nuk hyri në fuqi, pasi shefi i atëhershëm i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë nuk e nënshkroi.

Pas pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, qeveritë e Kosovës ato tërhoqën ligjin, për shkak të implikimeve buxhetore.

Ligji i ri për sigurime shëndetësore u miratua në vitin 2014, mirëpo as ai nuk u zbatua asnjëherë, pavarësisht premtimeve të të gjitha qeverive.

Zbatimit të tij u tha se do t’i paraprinte një periudhë prej gjashtë muajsh për mbledhjen e fondeve, e cila do të niste nga 1 korriku i vitit 2017.

Funksionalizimi i sigurimeve shëndetësore është premtim i dhënë e i paplotësuar nga qeveri të ndryshme për më shumë se një dekadë.

Premtime që nuk i përmbushën për sigurimet shëndetësore patën dhënë edhe tre ish-ministra të tjerë të shëndetësisë, Imet Rrahmani, Alush Gashi dhe Ferid Agani.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani në vitin 2014 pati premtuar se në vitin 2015 do të fillojë mbledhja e premiumeve, të nevojshme për mbushjen e fondit për sigurimet shëndetësore. Ndërkaq, ish-ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani pati thënë në korrik të vitit 2015 se po punojnë që sigurimet shëndetësore të bëhen në pjesën e dytë të 2016.

Edhe ish-kryeministri, Isa Mustafa, pati deklaruar se kanë përfunduar përgatitjet dhe nga 01.07.2017 do të fillojnë sigurimet shëndetësore.