Sunny Hill/ Foto: KALLXO.com

Siguria gjatë Festivalit “Sunny Hill”, nga nesër ndalohet qarkullimi i mjeteve motorike në Parkun Gërmia

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se ka marrë vendim që nga nesër (e enjte) në ora 7:00 asnjë mjet motorik (përveç atyre të akredituara dhe atyre emergjente: Policia, Zjarrfikësit dhe të ndihmës së shpejtë) nuk do të lejohet të lëvizë në Parkun Gërmia gjatë mbajtjes së Festivalit “Sunny Hill”.

Sipas njoftimit të Komunës, vendimi është marrë për mbrojtjen e sigurisë publike dhe për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti.

Ndalesa vlen për rrugën “Dr.Shpëtim Robaj” në Parkun Gërmia nga hyrja te laura deri te rruga për Butovc.

“Niveli i lartë i sigurisë është i nevojshëm për shkak të organizimit që llogaritet të ketë numër të madh të pjesëmarrësve të ndryshëm”, thuhet në njoftimin e Komunës.

Për përkujdesjen e lëvizjes së qytetarëve dhe mjeteve në pjesën ku është ndaluar qarkullimi do të kujdesen organizatorët në koordinim dhe bashkëpunim me Policinë e Kosovës.

Festivali “Sunny Hill” nis nesër dhe përfundon të dielën.