Presidentja Vjosa Osmani në darkë pune komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani.Foto: Presidenca e Kosovës.
Siguria dhe koordinimi me aleatët, temë në darkën mes presidentes Osmani dhe komandantit të KFOR-it
Çështjet e sigurisë në Kosovë kanë qenë arsyeja e një darke të përbashkët pune mes presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe komandantit të KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani.
Presidenca ka bërë të ditur se në këtë takim, presidentja Osmani rikonfirmoi rëndësinë e koordinimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë, për çështje të sigurisë, me qëllim të mbrojtjes së të gjithë qytetarëve tanë dhe mbrojtjes së sovranitetit të vendit.
Ndër të tjera, thuhet se Osmani nënvizoi përkushtimin e vazhdueshëm për një Kosovë të sigurt dhe stabile, si parakusht për zhvillim e prosperitet.
“Në këtë linjë, Presidentja Osmani vazhdon të ketë takime të rregullta me komandantin e KFOR-it, me qëllim të thellimit të bashkëpunimit me partnerë të sigurisë, veçanërisht me NATO-n”- shkruan Presidenca.
Osmani shprehu mirënjohje për KFOR-in, i cili ka shtuar numrin e trupave e të cilët po mbështesin institucionet e Kosovës në patrullim të kufirit me Serbinë.
“Presidentja ripotencoi rreziqet që vijnë nga taktikat destabilizuese të Serbisë, sidomos për shkak të mungesës së dhënies së përgjegjësisë nga ana e Serbisë, si për aktin e agresionit të shtatorit 2023, ashtu edhe për sulmet ndaj KFOR-it, në maj 2023”- shkruan në komunikatën e Presidencës.
Edhe KFOR-i në një njoftim për media tha se në takim u shkëmbyen mendime për situatën aktuale dhe për bashkëpunimin ndërmjet KFOR-it dhe institucioneve në Kosovë.
“Gjeneralmajor Barduani përsëriti përkushtimin e palëkundur të KFOR-it për një Kosovë paqësore dhe stabile përmes zbatimit të mandatit të tij të gjatë në OKB. Ai gjithashtu nënvizoi bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe të mirë të KFOR-it me organizatat e sigurisë së Kosovës dhe rëndësinë e komunikimit dhe koordinimit të rregullt, në dobi të sigurisë së qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe të stabilitetit rajonal” – u theksua në njoftim.
Përveç kësaj, u shtua se komandanti i KFOR-it vuri në dukje bashkëpunimin e ngushtë të KFOR-it me Bashkimin Europian në terren, duke përfshirë mbështetjen për dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Gjatë këtij viti, në kohë të ndryshme, autoritetet e Kosovës u kritikuan për mungesë koordinimi me faktorët ndërkombëtarë në lidhje me veprimet e ndërmarra në veri, si për shembull tentativa për të hapur Urën e Ibrit. Poashtu, kritika ka pasur edhe në lidhje me mbylljen e institucioneve ilegale në veri, që nga ndërkombëtarët u cilësuan ‘si të pakoordinuara’.
Faktori ndërkombëtar ka kërkuar që ura mos të hapet pa koordinim me ta dhe të bëhet pjesë e dialogut Kosovë- Serbi.
Një muaj më parë, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, deklaroi se Kosova është e gatshme që ta hapë Urën e Ibrit, veçse po pret kur të jenë gati edhe partnerët e saj ndërkombëtarë për ta ndërmarrë këtë hap.
“Ata (partnerët) kanë paraqitur se siguria është një nga hezitimet- kjo është pikëpamja e tyre për hapjen e urës”- tha Krasniqi në konferencë për media pas mbledhjes të Qeverisë më 23.10.2024.
Më 11.10.2024, komandanti i Forcës së Përbashkët Aleate në Napoli të Italisë, Admirali Stuart Munsch, në një konferencë për media kishte folur për çështjen e Urës së Ibrit, për çka është shprehur se kjo çështje sipas tij, është politike dhe ushtarake.
“Politika e NATO-s është që të mos hapet në këtë kohë, do t’i nënshtrohet dialogut. Është një çështje politike dhe jo ushtarake, kjo është për shkak të gjasave që mund të shkaktoj dëm, ambient jo të sigurt. KFOR-i mban vija të hapura të komunikimit me të gjitha forcat e sigurisë në zonë. Në këtë kohë nuk kemi një shqetësim sa i përket transparences”- kishte deklaruar Munsch.