Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani me kryeministrin e Britanisë së Madhe,Keir Starmer gjatë qëndrimit në Budapest. Foto: Presidentja e Kosovës në Facebook
Siguria dhe integrimi, temat bosht të presidentes Osmani me personalitete të larta të shteteve të tjera
Qëndrimin në Budapest në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Europian, presidentja Vjosa Osmani, e ka shfrytëzuar si mundësi për të zhvilluar takime e diskutime me zyrtarë të lartë shtetërorë dhe të institucioneve vendimarrëse të Bashkimit Europian.
Në mesin e prijësve të tjerë shtetërorë, ajo po qëndron në Hungari për të diskutuar mbi sfidat e sigurisë në Europë të shkaktuara nga lufta në Ukrainë, përshkallëzimin e krizës në Lindjen e Mesme, si dhe për sfidat e migracionit dhe ato ekonomike.
Atje, presidentja Osmani ka zhvilluar takim me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer. E para e vendit, ka bërë të ditur se gjatë bashkëbisedimit me Starmer-in kanë diskutuar për bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe marrëveshjen e arritur së fundmi mes dy vendeve në fushën e emigracionit.
Përveç me kryeministrin britanik, Osmani ka biseduar edhe me kryeministren e Letonisë, Evika Silina, duke e cilësuar vendin e kësaj të fundit si një partner të fuqishëm të Kosovës, jo vetëm në shtetndërtim, por edhe në përpjekjet për integrim euroatlantik.
“Me kryeministren Evika Siliņa, biseduam për përkushtimin tonë të palëkundur për të avancuar në rrugën tonë evropiane, me theks të veçantë për anëtarësimin e Kosovës në KiE, heqjen e masave ndaj Kosovës, si dhe për ecjen përpara me statusin e kandidatit për vendin tonë”- ka shkruar Osmani në Facebook më 08.11.2024.
Para saj, Osmani ishte takuar edhe me kryeministrin e ri të Estonisë, Kristen Michal – takim në të cilin, sipas saj, diskutuan për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës, heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës, si dhe për shtyrjen përpara të aplikacionit të Kosovës për anëtarësim në BE.
Një ditë më parë, presidentja Osmani është takuar me peronalitete të tjera të larta, përfshirë presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, presidentin e Francës, Emmanuel Macron, presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shefin e NATO-s, Mark Rutte, kryeministrin e Hungarisë Viktor Orban, e të tjerë.
Në nisje të Samitit, presidentja u pyet nga gazetarët e huaj nëse do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, dhe përgjigjja e saj ishte negative.
“Jo, zakonisht ne nuk takohemi. Siç e dini, Kosova dhe Serbia takohen në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Diskutimet vazhdojnë në Bruksel mes kryenegociatorëve, kryesisht në atë se si mund të ecim përpara me implementimin e marrëveshjeve që janë arritur” – iu përgjigj ajo gazetarëve më 07.11.2024.
Ndërsa në pyetjen se si e sheh fitoren e kandidatit republikan Donald Trump në SHBA, Osmani tha se Kosova ka pasur përkrahje dypartiake amerikane.
“Kosova ka pasur mbështetje dypartiake amerikane që në fillim të viteve ’90. Jemi të bekuar me këtë përkrahje dhe për këtë arsye, kemi çdo arsye të besojmë se kjo përkrahje do të vazhdojë edhe tani me administratën [e re] Trump”- tha Osmani.
E para e vendit tha se menzi pret që në fund të këtij Samiti të kenë rezultate produktive.“Por, edhe të kërkoj përkrahjen e tyre për integrimin euroatlantik të Kosovës“- u shpreh Osmani.
Ajo tha se gjatë Samitit do të jap kontribut të “vogël”, por “të rëndësishëm”.