Foto:KFOR
Siguria dhe dialogu, tema diskutimi mes Kurtit dhe komandantit të KFOR-it
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka qenë temë e takimit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe komandantit të misionit të KFOR-it, gjeneralmajor, Enrico Barduani.
Gjeneralmajor Barduani nënvizoi kontributin e KFOR-it për një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe për lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
“Ai (komandanti) gjithashtu përsëriti mbështetjen e plotë të KFOR-it për një dialog të qëndrueshëm ndërkombëtarisht ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, si mënyra e vetme për të kompozuar çështjet në vazhdim, në dobi të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë”- shkruan në komunikatën e KFOR-it.
Ky takim ishte pjesë e ndërveprimeve të rregullta të komandantit të KFOR-it me akterët kryesorë në Kosovë.
Barduani mori detyrën si komandant i KFOR-it më 11.10.2024.
Më 11.10.2024, komandanti i Forcës së Përbashkët Aleate në Napoli të Italisë, Admirali Stuart Munsch, në një konferencë për media ka folur për çështjen e urës së Ibrit, për çka është shprehur se kjo çështje është “politike dhe ushtarake”.
“Politika e NATO-s është që të mos hapet në këtë kohë, [por] t’i nënshtrohet dialogut. Është një çështje politike dhe jo ushtarake, kjo është për shkak të gjasave që mund të shkaktoj dëm, ambient jo të sigurt. KFOR-i mban vija të hapura të komunikimit me të gjitha forcat e sigurisë në zonë. Në këtë kohë nuk kemi një shqetësim sa i përket transparences”- është deklaruar Munsch.
Muajve të kaluar autoritetet kosovare kishin deklaruar në vazhdimësi që do të hapin Urën e Ibrit, megjithatë një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.
Faktori ndërkombëtar ka kërkuar që Ura mos të hapet pa koordinim me ta dhe të bëhet pjesë e dialogut Kosovë- Serbi.