Si zbuloi policia pjesët e veturave të vjedhura në Pejë

Policia në rajonin e Pejës ka njoftuar për arrestimi e katër personave të dyhuar për mashtrim dhe në dhënie të ndihmës për mashtrim.

Policia ka bërë të ditur se rasti ka filluar kur viktima e rastit, pronar i automjeteve Rent a Car me seli në Prishtinë, ka deklaruar se me 15 nëntor një person dyshohet që me dokumente të prezantuara false, ka marrë me qira veturën ‘VW GOLF VII’, ngjyrë e bardhë dhe me targa “KS”, dhe nuk e ka kthyer më.

Një rast i ngjashëm është raportuar nga një person tjetër, po ashtu pronar i automjeteve Rent a Car, me seli në Fushë Kosovë, i cili ka njoftuar se me 9 nëntor, i njëjti person i prezantuar, dyshohet me dokumente falset, ka marrë me qira veturën ‘VW GOLF VI’, ngjyrë e kaltër, me targa regjistrimi “RKS” dhe nuk e ka kthyer më tek pronari.

Pas pranimit të këtyre informacioneve, Njësiti i hetimeve në Stacionin Policor në Pejë, menjëherë ka vazhduar me hetimin e rasteve dhe në koordinim me prokurorin e shtetit, me datën me 21 nëntor kanë bastisur një auto-servis në fshatin Zahaq.

Gjatë kësaj bastisje policia ka bërë të ditur se tek shtëpia e pronarëve të dyshuar kanë gjetur në posedim vetura tjera të shkatërruara në pjesë.

“Njësiti i hetimeve në stacionin policor në Pejë ka vazhduar me punën hetimore në shumë lokacione, me ç’rast kanë identifikuar personin e dyshuar i cili me anë të dokumentit të falsifikuar, me datat e lartcekura kishte marrë veturat e lartcekura me qira në Prishtinë dhe në Fushë-Kosovë” njofton policia.

Policia tutje ka njoftuar se para dy ditëve, rreth orës 23:00 hetuesit kanë arrestuar të dyshuarit, pronarë të auto-servisit, të cilët janë ndaluar për 48 orë.

Gjatë ditës së djeshme, policia pas një pune intensive operativo-hetimore, bazuar në të dhënat e dëshmitë e mbledhura në terren, kanë arritur të gjejnë 50 pjesë të veturave Golf VI dhe  Golf VII, të çmontuara nga të dyshuarit në vlerë totale të dëmit rreth 30 mijë  euro.

Të arrestuarit për këtë rast, A.A, A.A, B.C dhe D.N, janë dërguar në mbajtje për 48 orë.