Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Si u zbulua që Millosheviqi më 1997 po falsifikonte votat në fshatin Debëllde?

Nora Visoka Weller,  avokate në Universitetin e Cambridge, që në kohën e luftës në Kosovë ka punuar si përkthyese për misionet ndërkombëtare, ka rrëfyer ekskluzivisht në emisionin “Kallxo Përnime” se si regjimi i Millosheviqit po manipulonte votat në fshatin Debëllde, që ndodhet në kufi me Maqedoninë e Veriut.

Rrëfimin e saj ajo e nis duke thënë se viti 1997 ishte viti kur Kosova filloi ta tërheqte vëmendjen e ndërkombëtarëve. Në po atë vit në Kosovë arrin një mision ndërkombëtar për të monitoruar zgjedhje presidenciale në Jugosllavi, në të cilat garonte edhe Slobodan Millosheviq.

“Natyrisht në atë kohë shqiptarët nuk votonin as për Serbinë, as për Millosheviqin e as për partinë e atëhershme. Qëllimi jonë ishte me dokumentu që shqiptarët nuk votojnë dhe në një mënyrë me kontradiktu  ‘storien’ e Serbisë që krejt shqiptarët janë të lumtur me jetu në Kosovë nën regjimin e Millosheviqit”, ka treguar Nora Visoka Weller.

Dhe kjo ishte puna e saj e parë me ndërkombëtarët, ndërsa rrëfen storien në fshatin Debëllde, ku masivisht ishin manipuluar kutitë e votimit.

“Po e tregoj ngjarjen e fshatin Debëllde. Në atë kohë, natyrisht shqiptarët nuk votonin, as nuk ishin regjistruar, mirëpo në fund të ditës na patën treguar listat se shqiptarët kanë votuar për SPS, atë kohë partia e Millosheviqit”, tha ajo.

“Në një rast, isha duke shkuar në Debëllde dhe detyra ime ishte që të fotografoj dhe të dokumentoj a ka pasur apo nuk ka pasur njerëz. Veturën u desh të e ndalojmë në një pikë të caktuar, e pastaj që të ecim rreth 2 orë, për të shkuar tek shkolla. Arritëm te ajo shkollë dhe dyert ishin të mbyllura, nuk kishte asnjë njeri, për shkak se edhe koha ishte shumë e keqe”, ka rrëfyer ajo.

Tutje, ajo ka thënë se në të njejtën kohë në Kuvendin e Kosovës, publikoheshin listat kinse shqiptarët po votonin. Sipas saj, shihej qartë se ishte një manipulim.

“Por jo vetëm në Debëllde, por edhe në fshatra  të tjerë, të gjithë njerëzit që janë të moshës për me votu, të gjithë kishin votuar, sipas listave. Shihej që kishte manipulim sistematik me votimet, e mbi të gjitha me të vërtetën në Kosovë”, shtoi ajo.

Nora Visoka Weller është avokate në Universitetin e Cambridge. Aty e ka përfunduar Juridikun dhe Arkeologjinë, ku ka specializuar në Mbrojtjen e Trashegimisë Kulturore dhe të Luftës.

Në moshën 18-vjeçare, Nora fillon punën si përkthyese me gazetarë të huaj, në pothuajse të gjitha zonat e luftës dhe përfundon duke punuar në misionin diplomatik të Ambasadës amerikane.

Ndërkohë, ajo do të trajnohej në teknika të ndryshme të mbrojtjes dhe të sigurisë, mbikëqyrjes, si të vozistë vetura 6 tonë të rënda në zona të luftës.

Puna e saj gjatë luftës ndërpritet në shtatorin e vitit 1998, kur makina e blinduar e Ambasadës bie në një minë kundër-tank.

Nora lëndohet rëndë dhe shërimi i saj zgjat disa muaj.

Fati deshi që automjeti ishte i blinduar dhe Nora shpëton. Ajo rikuperohet dhe 22 vite pas vjen këtu për të na treguar historinë e një prej disa të rinjve nga Prishtina, që punuan në misione të huaja.