Si u vodhën mineralet në Trepçë?

Në emisionin “Kallxo Pernime” po transmetohet hulumtimi rreth vjedhjes në maunat e ndërmarrjes Trepça për shkak se peshoret e saj nuk kanë matur mirë sasinë e ngarkuar me koncentratin e plumbit dhe zinkut.

Peshorja, e cila gjendet ne Stan Tërg të Mitrovicës, kishte matur diku rreth 400 kilogramë me pak të ngarkesës apo kthyer në vlerën monetare diku rreth 530 dollarë amerikanë në një maune.

Pas një raportimi në KALLXO.com dhe nisjes së këtij hulumtimi, ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të Trepçës, Enes Muzaqi, ka treguar se si kanë ardhur deri te dyshimi se peshorja nuk po peshon siç duhet.

“Pasi janë shfaqur disa dyshime kemi dashur t’i kontrollojmë peshoret dhe kemi gjetur se ato nuk janë duke matur mirë dhe menjëherë e kemi mbyllur peshoren dhe rastin e kemi lajmëruar në Polici dhe ata me sa e di janë duke punuar në zbardhjen e këtij rasti”, tha Muzaqi.

Qazim Ahmetaj, shefi i Krimeve ekonomike në Mitrovicë, ka thënë se rastin e kanë dërguar në Prokurorinë e Mitrovicës.

“Raportin e Ministrisë dhe më të gjitha shkresat e tjera, rastin e kemi dërguar në Prokurorinë e Mitrovicës”, thekson Ahmetaj.

Udhëheqësi i Minierës së Stan Tërgut, Nexhat Dedia, ka thënë se pret nga Policia që ky rast të zbardhet.

“Unë pres nga Policia që ky rast të zbardhet pasi që ne menjëherë i kemi marrë masat tona por sa i përket hetimit ato nuk janë punë tona”, tha Dedia.

Shyqyri Sadiku, drejtori teknik i kësaj ndërmarrjeje, ka thënë se dyshimet rreth vjedhjeve kanë qenë edhe më herët.

“Unë edhe sa kam qenë në pozitat tjera por edhe tash si drejtor teknik i kam përmendur dyshimet tona mirëpo askush nuk është marrë me ato dyshime”, theksoi Sadiku.

Mirëpo kryeprokurori i Mitrovicës, Ismet Ujkani, ka thënë se nuk është ende në dijeni të këtij rasti.

Peshorja e Trepçës kishte qenë e kalibruar nga Agjencia e Metrologjisë së Kosovës.

Zyrtarët e saj e pranojnë se peshorja ka pasur kalibrim deri në korrikun e këtij viti por theksojnë se kanë gjetur se e njëjta nuk ka peshuar si duhet.