
Zgjedhjet 2025. Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com
Si u “shpërblyen” nga votuesit personalitetet nga estrada, sporti dhe showbiz-i?
Secila prej partive politike në vend u përkujdes që në listat e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet të cilat u mbajtën me 09.02.2025 të ketë figura që kanë numër të madh ndjekësish në rrjetet sociale apo që janë figura të njohura mediatike.
Lëvizja Vetëvendosje i hapi dyert për këngëtaren Edona Llalloshi dhe kjo ia doli të futet brenda njëzetëshes më të votuar brenda listës prej 110 kandidatëve të kësaj partie.
Sipas rezultateve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku janë numëruar 2290 vendvotime nga 2533 ose 90.41% të votave, këngëtarja që dikur merrte pjesë në fushatat e Lidhjes Demokratike të Kosovës, tani me Lëvizjen Vetëvendosje grumbulloi 31 668 vota.
Lëvizja Vetëvendosje i bëri vend në listë të kandidatëve edhe një figure nga sporti: Bylbyl Sokolit. Trajneri i futbollit dhe profesori universitar në zgjedhjet parlamentare mori 14 554 vota.
Lidhja Demokratike e Kosovës kishte “befasuar” kur e paraqiti për kandidat për deputet Lumbardh Salihun, një figurë që u bë e njohur për publikun kosovarë me pjesëmarrjen në “Big Brother”, një shou televiziv që organizohet në njërin prej mediumeve vendëse. Për të votuan 5 332 qytetarë.
LDK-ja e mori në ekip edhe Lulzimin, të atin e futbollistit të njohur, Edon Zhegrova. Në zgjedhjet parlamentare që u mbajtën më 09.02.2025 ai mori vetëm 3 473 vota.
Një tjetër prind i një futbollisti të njohur ishte pjesë e listës së një subjekti tjetër opozitar. Ragipi, babai i futbollistit të njohur Granit Xhaka, mori 13 221 vota.
Një ulëse në Kuvend synoi ta zë edhe këngëtari Genc Prelvukaj. Ky kandidat i PDK-së për deputet, sipas rezultateve të deritashme mori 11 664 vota.
Pa një figurë mediatike në listë të kandidatëve për deputetë nuk kishte mbetur as Koalicioni për Familjen. Ky koalicion nuk e kaloi pragun, teksa Mërgim Mavraj, dikur lojtar i kombëtares së Shqipërisë mori vetëm 1 806 vota.
Në matje nuk janë përfshirë votat e diasporës, me kusht dhe votat e personave me aftësi të kufizuara.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se deri më 19.01.2025 janë numëruar 92.73% e vendvotimeve për votat e kandidatëve për deputetë.
Përmes një njoftimi për media, KQZ ka thënë se janë numëruar 2,349 vendvotime, nga 2,533 sa janë në total.
“Procesi i numërimit ka përfunduar në 31 Komuna, ndërkaq është duke vazhduar në Qendrat Komunale të Numërimit në 7 Komunat e tjera: Leposaviq, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Ferizaj dhe Zveçan.” – thuhet në njoftim.
Pjesëmarrja e diasporës në votimin jashtë Kosovës është 80.10%, nga numri i përgjithshëm prej 104,924 të regjistruarve për Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.
Më 09.02.2025, Kosova mbajti Zgjedhjet e rregullta parlamentare.