Si u shpenzuan paratë e Odës së Avokatëve për një ballo vallëzimi në Vienë

Në emisionin “Drejtësia në Kosovë” sonte u transmetuan të gjeturat e raportit mbi menaxhimin e financave të Odës së Avokatëve të Kosovës.

Në kuvendin e Odës të mbajtur në mars të këtij viti këshilli mbikëqyrës i financave i Odës së Avokatëve paraqiti para delegatëve raportin financiar të menaxhimit të financave të Odës për vitin 2019.

Në këtë raport të prezantuar nga njëri nga anëtaret e këshillit Kadri Osaj, foli për keqpërdorime gjatë shpenzimit të mjeteve të OAK-së.

Një ndër gjetjet e këtij raporti u tha se është edhe një udhëtim i ish-kryetarit të OAK-së, Osman Havolli të cilin sipas këshilli, ish-kryetari e kishte bërë në Vienë të Austrisë me ç ‘rast kishte marrë pjesë edhe në një ballo vallëzimi.

Sipas raportit të prezantuar nga këshilli mbikëqyrës, pjesëmarrja në këtë ballo e ish-kryetarit Havolli si dhe një zyrtareje, Odës i kishte kushtuar mbi 500 euro.

“Po ndalem te udhëtimi zyrtar në Vienë, ku kemi gjete parregullsi, shkelje se në këtë udhëtim zyrtar janë shpenzuar 4,371.26 euro, ku në këtë udhëtim zyrtar ka marrë pjesë kryetari i Odës së Avokatëve dhe një zyrtare e Odës së Avokatëve. Agjenda e këtij udhëtimi ka qenë e pa definuar për faktin se në kuadër të këtij udhëtimi zyrtar procedohet edhe një fature e marrjes pjesë në një vallëzim të juristeve…karakteri i këtij udhëtimi është i pa definuar, rëndësia e këtij udhëtimi është e pa definuar, periudha e gjatë kohore është e pa definuar”, ka deklaruar avokati Kadri Osaj për “Drejtësia në Kosovë”.

Shuma e përgjithshme e parave të shpenzuara pa miratimin e këshillit e në kundërshtim me rregulloren mbi menaxhimin e financave sipas Osajt e kap vlerën e mbi 30 mbi eurove.

Por në anën tjetër këto të gjetura të raportit financiar të këshillit mbikëqyrës të financave të OAK-së, ish-kryetari i Odës, Osman Havolli i quajti të pavërteta dhe tendencioze.

“Unë nuk kam shumë çka të flas për këtë çështje, të gjitha këto që janë prezantuar nuk janë të vërteta, janë të pas sakta, tendencioze dhe më qëllime të caktuara ngase kryesues i këtij këshilli mbikëqyrës ka qenë Admir Salihu. Ai nuk ka dalë për shkaqe gjente meni sepse ka qenë kandidat për nënkryetar të Odës së Avokatëve të Kosovës dhe i ka dhënë mundësinë Kadri Osaj që ta prezantoj, i cili e keqpërdori pozitën e tij, foltoren publike dhe dha të dhëna të pasakta, të pa vërteta dhe që nuk korrespondojnë me gjendjen faktike sepse auditimi është kryer në Odën e Avokatëve dhe ka dalë një gjendje faktike e shkëlqyeshme”, ka deklaruar Havolli.

Lidhur me pretendimet për keqpërdorim të mjeteve financiare gjatë udhëtimeve zyrtare, Havolli deklaroi se asnjë nga këto shpenzime financiare nuk është bërë pa miratimin e këshillit drejtues duke theksuar se në këto shpenzime përfshihen të gjitha udhëtimet e të gjithë avokatëve të Odës së Avokatëve të Kosovës, shpenzime për të cilat tha se është i gatshëm në çdo kohë që të përgjigjet.

E përkundër kritikave lidhur me qeverisjen e tij, ish-kryetari Osman Havolli një ndër sukseset e qeverisjes së tij si kryetar përmendi blerjen e objektit të Odës, objekt për të cilin tha se do të mbetët kryevepër e Odës së Avokatëve të Kosovës.