Si u paraqit për media takimi mes Kurtit dhe kryeministrit të Norvegjisë nga dy qeveritë?

Ka përfunduar takimi i kryeministrit Albin Kurti me homologun e tij norvegjez, kryeministrit Jonas Gahr Store, por komunikatat e lëshuara nga dy qeveritë japin përshkrime të ndryshme për temat që u diskutuan gjatë takimit.

Derisa qeveria e Kosovës ka dhënë një përshkrim të thjeshtë të takimit, qeveria norvegjeze ka nxjerrë më shumë informacione, duke konfirmuar se kryeministri i shtetit të tyre ka folur për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe qëndrimin e qeverisë Kurti për organizmin e zgjedhjeve presidenciale serbe në Kosovë.

Derisa në komunikatën e Qeverisë së Kosovës përmendet fakte sesi Norvegjia është një shtet mik i Kosovës që ka dhënë përkrahje të vazhdueshme, nuk jepen detaje të shumta për çfarë kanë diskutuar dy kryeministrat.

Ndërsa duke cituar fjalët e kryeministrit norvegjez, Jonas Gahr Støre, komunikata e Qeverisë së Kosovës thotë se shefi i qeverisë së Norvegjisë ka qenë i interesuar për reformat e qeverisë së Kosovës dhe rritjen e bashkëpunimin mes dy vendeve.

Poashtu, sipas qeverisë së Kosovës, kryeministri norvegjez ka shprehur interesim për “propozimet konstruktive dhe progresive për Bashkëpunim Rajonal që ka bërë qeveria e Kosovës”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.

“Në takim, gjithashtu u diskutua për rëndësinë e raporteve të mira fqinjësore ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor, si dhe për invazionin dhe agresionin e paprovokuar ushtarak rus në Ukrainë, të cilin e dënuan ashpër të dy kryeministrat”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.

Në njoftimin për media, të publikuar nga Qeveria e Norvegjisë, bëhet e ditur diskutimet mes dy kryeministrave u fokusuan në mbështetjen e Norvegjisë për Kosovën dhe dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ne nuk mund ta marrim si të mirëqenë stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Çështjet e pazgjidhura që datojnë nga vitet 1990 mund t’i vënë sërish zjarrin rajonit”, citohet të ketë thënë kryeministri norvegjez.

Po ashtu në këtë takim, sipas komunikatës, kryeministri norvegjez Jonas Gahr Store ka shprehur zhgënjimin e tij për mos lejimin e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.

“Marrëveshjet ekzistuese duhet të zbatohen dhe të dyja palët duhet të përmbahen nga veprimet që ulin besimin mes tyre. Prandaj, shfrytëzova rastin gjatë takimit tonë për të shprehur zhgënjimin tim që Kosova nuk po lejonte që zgjedhjet serbe të 3 prillit të organizoheshin në të njëjtën mënyrë si zgjedhjet e mëparshme”, citohet të ketë thënë Store.

Përveç kësaj, bëhet e ditur të jetë diskutuar edhe për forcimin bashkëpunimi në zhvillimin ekonomik dhe social.

Dje, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, zëvendësministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Edona Maloku Bërdyna dhe zëvendësministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, kanë udhëtuar për vizitë zyrtare në Norvegji.