Si u organizua operacioni i ATK-së për luftimin e informalitetit në punësime?

Një operacion i gjerë tatimor i cili u shtri në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës nisi të zbatohet gjatë javës së kaluar.

Cak i këtij aksioni të Administratës Tatimore të Kosovës ishin qindra biznese të cilat sistemi i brendshëm i këtij institucioni i kishte vendosur në pikën e kuqe për shkak se dyshohej se kishin të angazhuar në punë disa punëtorë të padeklaruar në ATK dhe të papajisur me kontrata të punës.

Aksioni është ndërmarrë me kërkesën e Drejtorit të Përgjithshëm të ATK-së, Ilir Murtezaj, dhe nën udhëheqjen e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të Operacioneve, Nijazi Asllani.

Pamjet e këtij aksioni të gjerë tatimor po shfaqen në emisionin “Kallxo Përnime”.

Në aksion morën pjesë katër inspektorë të ATK-së, të ndarë në dy ekipe.

Aksionet e filmuara u zhvilluan në komunën e Fushë-Kosovës dhe atë të Prishtinës me ç’rast në të gjitha bizneset që ishin subjekt kontrolli u konstatua se kishte punëtorë të paregjistruar.

Sistemi i brendshëm i ATK-së doli të jetë i saktë pasi si rezultat i tij në të gjithë Kosovën u konstatua një numër i madh i punëtoreve të cilët ishin duke punuar pa kontrata të punës.

Një javë më parë Drejtori i Përgjithshëm i këtij institucioni kishte folur në emisionin “Kallxo Përnime” për rëndësinë e regjistrimit të punëtoreve.

“Puna të cilën ata e kryejnë nuk u figuron askund, nuk u llogaritet përvoja e punës, nuk u paguhen detyrimet tatimore dhe as kontributet pensionale. Përpos këtyre punëtorët nuk kanë mundësi as të ndërmarrin hapat ligjorë për mbrojtjen e të drejtave të tyre në gjykatë”, kështu ka deklaruar në emisionin “Kallxo Përnime” drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj.

Sipas tij, punëtorët e regjistruar përfitojnë benefite të caktuara përderisa ata që nuk kanë kontratë pune dhe nuk deklarohen në institucione nuk mund të jenë përfitues të këtyre benefiteve.

KALLXO.com në bashkëpunim me qytetarët dhe ATK-në kanë arritur që buxhetit të shtetit t’ia shtojnë mbi 200 mijë euro.

Si rezultat i raportimeve të qytetarëve mbi 200 biznese janë zënë duke shkelur rregullat tatimore, mbi 50 punëtorë kanë marrë kontrata pune pasi ishte konstatuar se nuk ishin deklaruar nga punëdhënësi dhe shumë personave ka filluar t’u paguhen kontributet pensionale.