Protestat me kërkesën për dorëheqje të kryeministres së Bangladeshit, Sheikh Hasina, Pamje nga një video e AP-së

Si u kthye ikona kombëtare e Bangladeshit në “diktatore të arratisur”

“Një, dy, tre, katër, Sheikh Hasina është diktatore!”

Fjalët ishin kthyer në një thirrje masive për të rinjtë e të rejat e Bangladeshit në javët e fundit – dhe të hënën zemërimi i tyre i madh solli fundin e qeverisjes 15-vjeçare të kryeministres së vendit.

76-vjeçarja Hasina ka sunduar shtetin jugaziatik prej 170 milionë banorësh me grusht të hekurt prej vitit 2009 – deri para një muaji kur nisën protestat që sollën të paimagjinueshmen, vlerëson BBC në një analizë pak orë pas dorëheqjes dhe arratisjes së kryeministres së Bangladeshi.

Por të hënën në mëngjes, ajo ishte futur në një rrugë pa krye. Kishin kaluar disa ditë me radhë prejse gjykata më e lartë e vendit kishte rrëzuar politikën qeveritare të punësimit me kuota që kishte shkaktuar protestat që nisën në fillim të korrikut. Por derisa acarimi po rritej, do të kthehej në një lëvizje antiqeveritare që e donte largimin e saj nga pushteti.

E diela e përgjakshme

Çfarë ia qiti kupën ishin përmasat e reagimit të pamëshirshëm dhe ashpërsia e përleshjes ndërmjet protestuesve dhe policisë të dielën. Pothuajse 300 persona besohet se kanë vdekur deri të dielën, kur do të raportohej edhe për 90 viktima të tjera, përfshirë edhe trembëdhjetë zyrtarë policie – dita më e përgjakshme në historinë e protestave të Bangladeshit në historinë e re.

Kritikët e kanë quajtur “kërdi”, edhe pas dorëheqjes së Hasinas.

Dhe prapëseprapë, dhjetëra mija njerëz dolën të hënën në rrugë, shumë prej tyre duke marshuar drejt kryeqytetit Daka, duke sfiduar orën policore kombëtare.

Duket se qytetarët e Bangladeshit më nuk u frikësoheshin as plumbave. Çfarë nisi si lëvizje politike do të kthehej në një kryengritje masive.

Vendimi i zonjës Hasina për t’u larguar nga vendi u ndihmua edhe nga ushtria, e cila do t’i bënte presion të madh për të dhënë dorëheqje. Ushtria, e cila ka sunduar Bangladeshin në të kaluarën dhe ende gëzon respekt të madh popullor, ka ndikim të jashtëzakonshëm në politikën e vendit, shkruan BBC.

Dhuna e fundjavës dhe prospekti i përballjes me valë të re protestash masive duhet ta kenë detyruar ushtrinë të rimendojë opsionet e veta. Zyrtarët jo fort të lartë ushtarakë tashmë kishin nisur të shprehnin shqetësime kur në një takim me shefin e ushtrisë, gjeneralin Vaker-Uz-Zaman, iu kërkua të premten që të gjuanin në drejtim të qytetarëve civilë.

Çfarë pritet të ndodhë është më pak e qartë derisa gjenerali Zaman është duke zhvilluar bisedimet me “hisedarë të ndryshëm”, përfshirë partitë politike opozitare dhe grupet e shoqërisë civile për të gjetur një “zgjidhje të përkohshme”, ka bërë të ditur për televizionin BBC një burim i lartë i informuar me rrjedhat e atjeshme politike.

Dorë e zgjatur e Indisë?

Nuk është befasi se zonja Hasina është larguar drejt Indisë. Nuk dihet se çfarë këshillash ka marrë matanë kufirit, por fqinji gjigant i Bangladeshit ishte aleat kyç i saj gjatë gjithë kohës.

Meqë popullariteti i saj po zbehet, në Bangladesh po rritej edhe ndjenja e fuqishme kundër Indisë.

Delhi e shihte dorën e zgjatur në Bangladesh si çelës për sigurinë e shtatë shteteve pa dalje në det në Indinë verilindore, të cilat kufizohen me Bangladeshin. Zonja Hasina i kishte ofruar të drejta transiti Indisë për t’u siguruar se mallrat nga territori kontinentale të mund të arrinin në këto shtete.

Ajo gjithashtu shtypi grupet militante anti-induse me qëndrim në Bangladesh, çështje kritike në Indi.

Por javëve të fundit, Delhi po përballej me një dilemë – duke mbështetur aleaten e saj jopopullore, rrezikonte të acaronte një lëvizje masive dhe të dëmtonte lidhjet e kahershme me Bangladeshin. Dhe dorëheqja e zonjës Hasina ka zgjedhur këtë problem.

Por pse Qeveria e Bangladeshit po përballej me një zemërim kaq të madh?

E bija e presidentit themelues të Bangladeshit, Sheikh Hasina ka qenë kryeministrja grua me qeverisjen më jetëgjatë të botës. Babai ishte vrarë me shumicën e familjes së saj në një grusht-shtet më 1975 – vetëm Hasina dhe motra e saj më e re mbijetuan derisa po udhëtonin atëherë jashtë vendit.

 Kthimi i bujshëm në vendlindje

Pas jetës në ekzil në Indi, ajo do të kthehej në Bangladesh më 1981 dhe do të bashkohej me partitë tjera politike për t’i prirë një kryengritjeje popullore për demokraci që e ktheu atë në ikonë kombëtare.

Zonja Hasina erdhi për herë të parë në pushtet më 1996, por më vonë humbi prej rivalit të saj, Begum Khaleda Zia, për betejën për drejtimin e Partisë Nacionaliste të Bangladeshit (BNP) më 2001.

Ajo u kthye më 2009 në zgjedhjet e mbajtura nën një qeveri teknike. Qëndrimi i saj në pushtet u shqua me akuza për zhdukje të dhunshme, vrasje pa gjykim dhe shtypje të figurave të opozitës dhe kritikëve të saj – ajo i mohoi akuzat, dhe Qeveria e saj shpesh akuzoi partitë opozitare për nxitjen e protestave.

Në javët e fundit, Hasina dhe partia e saj – Lidhja Avami – fajësuan kundërshtarët politikë për trazirat që mbërthyen vendin.

Por kësaj here, zemërimi ishte më i zëshëm se herëve tjera. Pa asnjë fije dyshimi se ishte sfida më serioze me të cilën ndonjëherë është përballur Hasina prej ardhjes në pushtet. Herën e fundit, zgjedhjet i fitoi në janar, e të cilat ia bojkotoi opozita.

Për javë të tëra, ajo refuzoi të tërhiqej, madje në një moment i quajti “terroristë” protestuesit.

Por kur e kupton se forca e aparatit të sigurisë nuk mund t’i largojë njerëzit nga rruga, ky nuk është ogur i mirë për asnjë lider – e sidomos për ata që u lëkundet fort karrigia./BBC

 

Përgatiti: Rexhep Maloku – KALLXO.com