Si u krijua ‘Granfest’, festivali i parë i romanit grafik në Kosovë

Gani Jakupi, shkrimtar dhe themelues i festivalit të parë të romanit grafik në Kosovë ‘Granfest’, ka rrëfyer se si erdhi deri tek krijimi i këtij festivali.

Duke folur në emisionin ‘KallxoPernime’, Jakupi fillimisht ka treguar se si është larguar nga Kosova dhe ka shkuar në Francë për të jetuar.

“Në të vërtetë në atë kohë, në rininë time nuk më ka interesuar Franca hiq, gjuha ime e parë e huaj ka qenë anglishtja dhe kam qenë i interesuar për vendet anglofone. Unë jam shku me gjashtë vizatime, aq i pa vetëdijshëm se çka po boj. Jam shku në ‘Zhur de Francë’ një nga revistat më të mëdha në Francë, e kam ‘mashtru’ rojën dhe jam fut brenda. Aty brenda më tregun ‘shko kërko punë diku tjetër’, sepse ishte revistë luksoze. Ata i angazhojshin vizatuesit më të shtrejntë francez. Por tani kam filluar me e zbrit filterin, kam shku tek disa më të vogla. Pastaj kam fillu me botu” – ka bërë të ditur Jakupi.

Tutje, Jakupi ka treguar arsyet  pse e ka krijuar këtë festival në Kosovë.

“Granfest është një festival ndërkombëtar i romanit grafik, për shkak se në Kosovë ka potencial. Romani grafik është si roman, veq se e rrëfen me vizatime, me ilustrime. Për shkak se Kosova është e aftë me pas artista që fitojnë shpërblime ndërkombëtare në laminë e filmit. Për xhirimin e një filmi së pari duhet një story-board. E story-board është një roman grafik i thjeshtëzun, e të njejtën e bën me romanin grafik, është rrëfim sekuencial. Aty është dallimi në mes të një ilustrimi dhe një romani grafik” – ka thënë Jakupi.