Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Si u infektua Naser Ramadani me coronavirus?

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, ka rezultuar sot me COVID-19, në ditën të cilën ai pritej të vaksinohej me vaksinën kundër COVID-19.

Në emisionin “Kallxo Pernime”, Ramadani ka thënë se për të është një moment i çuditshëm ky i infektimit me COVID-19.

“Është moment i çuditshëm për mua, sepse me atë vrull që kam punuar më është dashur të ndaloj. Por ja që më është dashur të testohem sepse kam qenë i kontaktit edhe me një rregull/protokoll që është para vaksinimit me u testu”, tha ai.

Ramadani u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë masat kundër COVID-19 sepse përhapja e virusit është shumë e madhe.

Naser Ramadani ka shtuar se do të vazhdojë punën e tij përkunder izolimit.

“E vetmja pengesë e imja është mosprania fizike, sepse të gjitha përmes tekonologjisë po mund t’i kryej. Varësisht nga gjendja ime shëndetësore por unë do të vazhdojë të punoj. Pandemia ka futur në përdorim teknologjinë e re e cila ka ekzistuar por nuk është shfrytëzuar”, ka thënë ai.

Drejtori i IKSHPK-së flet edhe për vaksinat dhe për çështje të tjera lidhur me pandeminë.