Pamje nga homazhet për Astrit Deharin - Foto: Atdhe Mulla

Si u gjet Astrit Dehari në qeli në momentet e fundit të jetës?

Në qelinë A3 në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ku ishte gjetur pa shenja jete anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, ishte edhe një person me emrin Frrok Laski.

Sipas raportit të mjekësisë ligjore zvicerane, i publikuar sot nga familja Dehari dhe avokati i saj, Tomë Gashi, tregon edhe deklaratat e shokut të dhomës së Astrit Deharit.

Kujtojmë që Astrit Dehari ishte gjetur pa shenja jete në qelinë e tij A3 pak pas orës 15:00 në Qendrën e Paraburgimit në Prizren në vitin 2016.

Raporti mjekësor shpjegon deklarimet e Frrok Laskit.

“z. Laski i kujtohet se pasi që janë kthyer nga dushi, nuk ishte askush në qeli. Z. Dehari shëtitej dhe këndonte në qeli. Z. Laski ka dalë me Adonisin dhe Naserin në ora 14:00 dhe është kthyer në ora 15:00. Për ndryshe, Astriti ka kërkuar që qëndrojë në qeli sepse nuk ndjehej mirë”, thuhet në raportin e mjekësisë zvicerane.

Pas kësaj, siç thuhet në raport, gardiani i qendrës së burgimit, ka mbyllur derën e cila nuk mund të hapet nga brenda por vetëm nga jashtë qelisë.

“Pas një ore shëtitje, tre të mbajturit janë drejtuar për në qeli. Ky apo Naseri e ka hapur derën”, thuhet tutje në raport.

“Kur ka hyrë ai ka brejtur Astritin shtrirë mbi tokë në pinë me duar të hapura, ai ishte i lagur në nivelin gjenital, dora e tij e majtë kishte gërvishtje, mangët e tij ishin përvjelë deri në gjysmën e dorës dhe ora ishte pranë kycit të dorës”, thuhet tutje në raportin e mjekësisë të cilin sot e ka prezantuar edhe Avokati, Tomë Gashi.

Siç shpjegon raporti deklarimet e personit që ishte në qeli me Astrit Deharin, në gojën e këtij të fundit ai kishte parë një shishe me mjaltë në gojë.

“Ndër të tjera, ai ka konstatuar se Astriti kishte një shishe prej plastike e mbushur për gjysmë me mjaltë, në gojë. Shishja kishte një kapak të verdhë. “Dauti” (gardiani) e ka tërhequr shishen nga goja e Astritit”, thuhet të ketë deklaruar Frrok Laski.

I pyetur se ai dinte për ndonjë formë të presionit nga ndokush për Astrit Deharin, Laski kishte dhënë këtë përgjigje.

“Jo, vetëm një ditë kur kishte ndodhur një protestë dhe emri i Astritit ishte përmendur gjatë protestës, e kemi parë se lëvizte pa pushim në qeli. Gjatë natës së 4 nëntorit 2016, ai ishte zgjuar dhe kishte vërejtur Astritin që ishte fjetur me këpuca. Dhjetë minuta më vonë, e dëgjoi Astritin se u zgjua, zbriti nga shtrati dhe shikoi në sirtar. Këtë e bëri tri a katër herë. Në një moment kishte thënë të shtrihej për të fjetur. Pastaj ai i hoqi këpucët dhe shtri për të fjetur rreth 2 ose 3 të mëngjesit”, thuhet në deklarimin e Laski.

Raporti i mjekësisë i cili u përgatitë nga një institut nga Zvicra u publikua sot. I njëjti ka përjashtuar mundësinë e vetëvrasjes së Astrit Deharit.

Rasti Dehari: Analiza e Zvicrës nuk përjashton vrasjen

www.kallxo.com