Pamjet nga shkatërrimet në Ukrainë, Foto: VOA
Si u gjendën shqiptarët e Ukrainës pas shpërthimit të luftës?
“Çfarëdo që të ndodhë në Ukrainë, unë do të jem këtu”, thotë Aleksandr Dermentli, një shqiptar nga fshati Karakurt i Ukrainës.
Fshati i tij ndodhet në jugperëndim të Odesës, rajon i cili, në javët e fundit, disa herë ka qenë shënjestër e sulmeve të ushtrisë ruse.
Dermentli, 55-vjeçar, thotë se ka disa shqiptarë që luftojnë në krah të forcave ukrainase, por nuk jep më shumë detaje për ta.
Ukraina ndodhet nën pushtimin rus qysh më 24 shkurt. Mijëra njerëz atje janë vrarë, miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë.
Dermentli, i cili udhëheq Shoqatën “Bashkimi i Shqiptarëve të Ukrainës”, thotë se në këtë vend jetojnë rreth 5,000 shqiptarë – të përqendruar kryesisht në rajonin e Odesës dhe të Zaporizhjas.
Në Karakurt, ai thotë se situata është ende e qetë dhe se bombardimet dëgjohen vetëm natën.
Ai tregon se fshati është mbushur me shqiptarë të tjerë që janë zhvendosur nga zona e Kievit dhe e Odesës.
Ai thotë se disa grave dhe fëmijëve u ka ndihmuar të ikin jashtë kufijve.
“Një familje nga qyteti Irpin ka ikur në Shqipëri dhe ka shumë familje [me prejardhje shqiptare] që kanë ikur në Gjermani; në Poloni ka shumë; në Zvicër ka pak”, tregon Dermentli për Radion Evropa e Lirë.