Si u bart virusi nga Ferizaj në Han të Elezit

23 raste janë konfirmuar sot me coronavirus.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se rastet e konfirmuara janë nga Ferizaj, Hani i Elezit, Prizreni e Prishtina.

KALLXO.com ka kontaktuar me Kryetarin e Komunës së Hanit të Elezit , Rufki Suma i cili shpjegoi se i infektuari me COVID-19 është rast kontakti me personin që ka vdekur ditë më parë nga fshati Sazli i Komunës së Ferizajt.

“Po ne u njoftuar nga IKSHP më saktë nga Naser Ramadani. Ai më tregoi që një banor i Hanit të Elezit ka dalë pozitiv ndërsa personi i prekur ka pasur kontakt me personin e ndjerë nga Sazlia e Komunës së Ferizajt”, tha Suma.

Ai shtoi se të dy kishin punuar në bashku në Bondsteel.

“I prekuri me coronavirus dhe viktima nga Ferizaj kanë punuar së bashku në Bondsteel me kamiona. Personi i infektuar në komunën tonë ka njoftuar policinë dhe QKMF-në se ka pasur kontakt me personin dhe se pastaj sipas udhëzimeve ka qëndruar në izolim në shtëpinë e tij. Unë bisedova me të më herët dhe i tregova se është i infektuar pasi që nuk e ka ditur dhe unë e udhëzova që të qëndroj prapë në izolim deri në këshillat tjera apo udhëzimet e reja nga ana e IKSHP-së”, tha Suma.

Deri më sot 250 raste janë regjistruar me coronavirus. Nga këto raste 52 janë shëruar dhe janë shënuar 7 viktima.

Hani i Elezit sot i është shtuar hartës me të prekur me coronavirus.