Ilustrim - Foto: KALLXO.com

Si u arratis për në Serbi Arian Lluka, i dënuari për vrasjen e Fidan Shabit në Pejë

Arian Lluka i cili deri më 17 tetor po mbante dënimin për vrasjen e Fidan Shabit në vitin 2012 në Pejë është në arrati tash e tre muaj.

KALLXO.com mëson se Lluka, nga datat 17 deri në 20 tetor të vitit të kaluar, ishte lejuar që gjatë vikendit të shkonte te familja e tij. Pas këtij pushimi, ai duhej të lajmërohej në Burgun e Mitrovicës. Por kjo nuk ndodhi.

Programi i mëngjesit TV HAPPY në Beograd, disa ditë më parë ka pasur të ftuar Milena Tijaniq- Kristiq, e cila thotë se ka qenë e akuzuar në Kosovë për prostitucion, trafikim me njerëz e shpërlarje parash ka treguar se si e ka ndihmuar Llukën që të arratiset dhe të dërgohet në Nish.

Emisioni i mëngjesit ishte titulluar si ‘Historia e pabesueshme e Milenës për një të burgosur shqiptar’.

Milena Tijaniq, ka treguar se si e kishte njohur Arian Llukën dhe jetën e saj brenda burgut për prostitucion.

Tijaniq po mbahej në paraburgim si e akuzuar që 2 vite e 4 buaj.

“2 vjet e 4 muaj në burgun hetimor. Fatkeqësisht, pa asnjë dëshmi materiale dhe në ndihmën e disa të posatakuar të cilat i kam iniciju dhe kriju, në mënyrë që ti ndihmoj vetes të dal nga burgu. E kam fillu atë komunikim me Arian Llukën i cili gjithashtu ka qenë në atë kohë në burg”, tregon Tijaniq për TV Happy në Beograd.

Madje, Tijaniq tregon edhe se Arian Lluka ka qenë i dënuar për vrasje, madje ajo tregon se ishte Lluka që sipas saj mund ta ndihmonte të dilte nga burgu dhe të arratiseshin.

Udhëheqësi i emisionit të mëngjesit e pyet Tijaniq se ‘ju jeni dashuruar me të (Arian Llukën)?’.

“Unë nuk jam dashuruar, e kam ditë që me ndihmën e tij unë mundem me dal prej atij burgu, sepse familja e tij natyrisht se asnjëherë nuk do të lejonte, ashtu si edhe e imja e e gjithsecilës familje normale, nuk do të lejonin që një serbe dhe shqiptar të kenë çfarëdo lidhje, qoftë martesore apo çka do tjetër serioze”, shpjegon ajo lidhjen e saj me Llukën.

Madje ajo tregon se së bashku me Arian Llukën janë martuar, e nga kjo martesë ajo tregon edhe se ka shpëtuar nga burgu në Kosovë.

“Po, por ajo është e shkatërruar sepse natyrisht familja e tij nuk është pajtuar me këtë. Më vonë që të na ndajnë edhe atë historinë tonë e cila është dukur e fortë sepse kemi qenë shumë të lidhur,  më kanë dërguar në Serbi. Kështu që unë e kam shpëtuar veten në këtë mënyrë, duke krijuar këtë histori me Arenin, kështu që i jam shumë mirënjohëse për këtë”, thotë ajo tutje.

Prezantuesi i emisionit e pyeti Tijaniqin nëse Lluka e ka ditur se historia e dashurisë mes tyre ka qenë e krijuar për të shpëtuar Tijaniq.

“Ai është edhe sot i dashuruar në mua, prej se ka ik nga burgu..”, tregon Tijaniq.

Tijaniq flet edhe se ku gjendet tani dhe si jeton Arian Lluka.

“Ka ik prej burgut qysh para 3 muajve, gjendet në Nish, e ka marrë një banesë shumë afër meje rreth 5 min. Ai po kërkon që të kurorëzohemi e martohemi, kjo histori të bëhet një llojë përralle… normalisht e cila është e pamundur sepse para së gjithash unë jam serbe, e krishterë dhe një burrë të tillë nuk e kam fare të nevojshëm… për mua ka qenë e nevojshme me i ndihmu vetes”, tregon ajo tutje duke shpjeguar edhe pjesën se si ka shfrytëzuar Llukën që të arratiset dhe të shkojë në Serbi, duke shtuar edhe se nëse i kishte tregua planin për këtë martesë të rreme në burg ai nuk do t’i ndihmonte.
“Realisht, ndoshta gjest I shëmtuar, por, në ato momente nuk kam pas rrugëzgjidhje tjetër”, thotë ajo.

Milena Tijaniq, tregon edhe se Arian Lluka e ka kërcënuar se për shkak të dashurisë do të bëj vetëvrasje ndërsa vetë Tijaniq i ka thënë disa herë Llukës që të kthehet në Kosovë.

“Po më kërcënon se për shkak të dashurisë do të bën edhe vetëvrasje, por unë po e lus që të kthehet në Kosovë, dhe ti kthehet në familjen e tij sepse të njëjti po kërkojnë që të kthehet atje, unë kam kontakte me familjen e tij dhe më kanë kërkuar që ti lutem të kthehet në Kosovë, e edhe nëse kthehet jam e bindur që do ti ndihmojnë ata familjarët e tij”, tregon tutje historinë e arratisjes Tijaniq.

KALLXO.com mëson edhe se Tijaniq, është loruar nga burgu 7 nëntor 2017.

Milena Tijaniq foli edhe për akuzën e ngritur ndaj ish- sekretares administrative Silvana Arsoviq.

“Sekretarja e Ivanoviq e di që po akuzohet për vrasjen e Ivanoviq, kjo është tmerrshme me të kuptuar këtë kam menduar se kjo është e tmerrshme, sepse ata nuk do t mund të dalin nga paraburgimi, do të gjejnë prova të pabazuara do të gjejnë dëshmitarë për të thënë gjëra që pavërteta siç kanë vepruar me mua, por do të jenë dëshmi të pavërteta, dhe nuk do të kenë prova materiale, andaj po më vjen shumë keq”, thotë ajo.

Tijaniq tha se është liruar nga gjykata për akuzat që kishte pasur.

“Unë jam liruar një ditë shumë thjeshtë, ka qenë rasti duke u shqyrtuar në Gjykatën e Apelit dhe me një vendim jam lënë e lirë “, Thotë Tijaniq.

KALLXO.com raportoi se që nga tetori i vitit të kaluar, Arian Lluka i dënuar për vrasjen e Fidan Shabit në Pejë, është arratisur ndërsa Shërbimi Korrektues i Kosovës ka lëshuar një fletë rreshtim për të njëjtin.

Vajza e Sali Dukatit Ndërron Fjalët