Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Si trajtohen në Gjinekologji gratë shtatzëna të infektuara me COVID-19?

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në Klinikën e Gjinekologjisë, gratë të cilat janë të infektuara me COVID-19 kanë një trajtim të veçantë.

Për to janë dhomat e veçanta ku edhe bëhet përcjellja e gjendjes shëndetësore nga mjekët. Kështu ka thënë gjinekologia, Mimoza Berisha.

“Klinika jonë e ka repartin e posaçëm për pacientët me COVID-19, i cili ka një hyrje të veçantë, ku trajtohen shtatzënat me virus, por edhe ato raste të cilat janë ende të pakonfirmuara, ku e kemi dhomën e izolimit ku i vendosim”, ka thënë ajo.

“Kemi oksigjenim qendror që është për momentin, fatmirësisht deri më tani rastet kanë shkuar mirë, me disa komplikime, ka edhe raste kur kanë përfunduar me fatalitet por ato kanë qenë në infektivë”, deklaroi ajo në emisionin “Kallxo Përnime”.

Berisha, e cila është nga komuniteti egjiptian, ka thënë se gratë nga komunitetet e kanë të vështirë të ballafaqohen me pandeminë e COVID-19.

“Është shumë e vështirë, shumica prej tyre nuk i kanë veturat e tyre, mund ta përdorin ndonjë taksi ose trafikun urban. Pacientët e mija zakonisht i telefonoi dhe mundem me u koordinu, me kuptu a kanë simptoma të COVID-19. Pastaj i këshilloj me bë test për COVID-19 dhe kemi vazhdu me kontaktu ku edhe ua kam rekomandu terapinë”, tha ajo.

Se pjesëtaret nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian kanë telashe të marrin shërbimet shëndetësore si duhet në këtë kohë pandemie e ka konfirmuar edhe Ferdane Asllani nga organizata joqeveritare “Ballkan Sunflowers”.

“Komunitet përballen me sfida të ndryshme, kushtet ekonomike është problemi kryesor. Gjithashtu, trajtimi me barna ka qenë shumë i vështirë, pasi trajtimi për COVID-19 ka qenë goxha i kushtueshëm dhe ka qenë vështirë me i sigurua barnat e nevojshme”, deklaroi Asllani në KALLXO.com.

“Fatkeqësisht, ka pasur raste edhe kur kanë përfunduar me vdekje prej COVID”, tha ajo.