Si trajtohen ankesat në OShP?

Mbi 1,000 ankesa vetëm vitin e kaluar janë drejtuar tek Organi Shqyrtues i Prokurimit.

Shqipe Hoti, eksperte e prokurimit në OShP, ka thënë se të gjitha këto ankesa janë trajtuar nga tre anëtarët e bordit në këtë institucion.

“OShP-ja ka një numër të madh të ankesave, për vitin e kaluar i kemi pasur 1,884 ankesa. Ka qenë bordi prej tre anëtarëve që ka marrë vendim për mbi 1 mijë ankesa. Ne i kemi tetë ekspertë të brendshëm, e kemi edhe listën me ekspertë të jashtëm. Eksperti e shqyrton lëndën, bordi e merr vendimin”, tha ajo në emisionin “Kallxo Përnime”.

“Mungesa e bordit ka reflektuar, mungesa e stafit të brendshëm reflekton. OShP-ka bërë kërkesë në vazhdimësi për rritje të stafit, brenda për brenda. Vitin e kaluar i kemi marrë katër ekspertë, por përsëri janë pak”, tha tutje ajo.

Por, Hoti thotë se jo gjithherë është faji te OShP për vonesën e përgjigjeve në ankesa.

“Autoritetet kontraktuese nuk reflektojnë brenda afatit ligjor, në qoftë se kthehet në rivlerësim, brenda afatit ta bëjnë vlerësimin, rivlerësimin e ofertave dhe ta publikojnë njoftimin e ri për kontratë. Ka raste kur ka presion, nuk i respektojnë vendimet, prapë lënda kthehet në OShP”, deklaroi ajo.