Si tentoi dega e PDK-së të pamundësojë rikandimin e Ramiz Lladrovcit?

Driton Ajazi, kandidati i degës së PDK-së për kryetar të Komunës së Drenasit, në një intervistë për “KALLXO Përnime” është deklaruar për raportet me u.d. kryetarin e PDK-së Enver Hoxhaj pas shpalljes së kandidaturës.

Ajazi tha se ka pasur takim paraprakisht me Hoxhajn ku i kanë shprehur disa shqetësime të tyre që PDK mos të garojë sërish me figurën e Ramiz Lladrovcit. Por sipas tij, nga ky takim nuk ka pasur “reflektim” nga niveli qendror i PDK-së.

“Nuk kemi bisedu, sepse ne kemi biseduar para se të dalim me një qëndrim të tillë si degë e PDK-së. Ne kemi biseduar në takime të brendshme me kryesinë qendrore edhe dërguar në formë peticione me 10 pika që kemi paraqit shqetësimet tona se z. Lladrovci nuk bën apo të rikandidohet përsëri, sepse do ta dëmtojë në tërësi PDK-në nesër garojmë prapë me figurën e z.Lladrovcit. Dhe pas shumë debateve, ne nuk kemi gjetë një gjuhë që na mund të na afrojë deri në tejkalimin e kësaj situate dhe duke u gjendur në këtë situatë dhe duke pasur parasysh edhe statutin e PDK-së kryesia e degës, mori vendim dhe mua me nominuan kandidat për kryetar. Kjo do të mbes në diskrecionin e kryetarit që të vendos për një gjë të tillë”, u shpreh Ajazi.

“Kanë qenë takime të nivelit të brendshëm të strukturës. I kemi bërë të qarta të gjitha shqetësimet, kanë bashkëbisedu gjithë kolegët, anëtarët e kryesisë i kanë shpreh shqetësimet që kjo çështje se nuk bënë të vazhdojë në këtë formë. Z. Hoxhaj e la të hapur si opsion që të vijë në degë, të ulemi të bashkëbisedojmë prapë. Ne edhe pas dërgimit të peticionit, prapë nuk pamë një reflektim dhe pastaj kryesia e degës mori vendimin siç e dini”. u shpreh ai.

Ai shtoi se pret mbajtjen e Konventës Zgjedhore të PDK-së me të cilën shpreson se do të pranohet kandidatura e tij.

“Por tanimë, siç jeni të njoftuar, kryetari i Partisë e ka proklamuar një konventë që duhet të futet PDK-ja para se të fillojë procesi zgjedhor. Unë pres që nga ajo konventë të dal një lidership që fokusin kryesor ta ketë fuqizimin e strukturave të PDK-së dhe ngritjen e votës së PDK-së dhe ta kthejmë partinë ku e kishte vendin kur ishte e para. Duke shpresuar se do të ketë reflektim pas kësaj konvente, shpresoj se edhe kandidatura ime, si vullnet i strukturave të degës së partisë dhe elektoratit ta pranojë kandidaturën tim dhe të jem kandidati i PDK-së për zgjedhjet që mbahen në vjeshtë”, ka thënë tutje ai.