Si të përdoret maska e dizajnuar?

Bartja e maskave në këtë kohë është obligative. Por, jo të gjithë për t’u ruajtur nga coronavirusi po përdorin maska mjekësore. Përdorimi i maskave të prodhuara nga tekstili, me dizajne, e me forma të ndryshme janë bërë trend gjatë këtyre muajve pandemik.

Organizata Botërore e Shëndetësisë përmes një manuali ka treguar se si duhet të përdoret maska e cila nuk është e prodhuar duke u bazuar në dispozitat mjekësore.

Manuali i OBSH-së tregon se para se ta kapim maskën duhet t’i pastrojmë duart dhe pastaj ta inspektojmë nëse maska është në gjendje të pastër për t’a vendosur në pjesën e gojës dhe hundës.

Maska duhet të vendoset në mënyrë gjithëpërfshirëse duke mbuluar dy kanalet përmes të cilave mund të merret apo të bartet virusi, pa lënë ndonjë hapësirë përreth organeve shqisore.

Pas vendosjes së maskës duhet të bëhet kujdes që mos të preket me duar maska në mënyrë që mos të bartet virusi nga kontakti i duarve me gjësende tjera.

Para se të largohet maska nga fytyra, duhet të pastrohen duart dhe pastaj të vendoset në një ambient të rrethuar me plastikë të pastër, e jo të vendoset në çantë. Tutje, për t’u ripërdorur maska e njëjtë duhet të pastrohet  në temperaturë shumë të lartë, me detergjent ose shampon, të paktën njëherë në ditë pas përdorimit.

Në fund, pas kontaktit fizik me maskën gjatë larjes, duart duhet të pastrohen përsëri.

Maska e papastër apo e dëmtuar apo e gjendur në ndonjë vend, sipas OBSH-së nuk duhet të përdoret.

Nuk vendoset maska vetëm për ta mbuluar zgavrën e gojës po tërësisht pjesën e poshtme të fytyrës.

Mos të largohet maska nëse një metër afër ke një person e as të përdoret një maskë e cila bllokon organet respiratore për shkak të modelit, formës, trashësisë së saj etj., por një adekuate për parandalim të përhapjes së COVID-19. Nuk duhet të përdoret maska e njëjtë nga dy ose më shumë persona, pra mos i vendosni maskën e dikujt tjetër.