Si të kujdesemi për shëndetin gjatë ditëve të nxehta? (VIDEO)

Shmangia e ekspozimit në diell për një kohë të gjatë, konsumimi i ujit, veshja e rrobave me ngjyrë të çelët, janë disa prej këshillave që duhet të ndiqen si kujdes ndaj shëndetit në ditët e nxehta.

“Që t’i evitojmë të gjitha këto, mos të vijmë deri këtu, në fillim thashë që t’i ikim ekspozimit në terminet 11-17, mirëpo edhe nëse është e domosdoshme me dalë, duhet ta sigurojmë kokën me ndonjë kapele e gjithqysh të jetë me ngjyrë të çelët. Edhe rrobat, bluzat, duhet me qenë ose të pambukta ose të llanit me ngjyra të çelëta, e bardhë dhe krem. Duhet të pimë shumë ujë, gjithmonë themi 1 deri në 2 litra ujë se ndoshta jemi të obliguar me dalë prandaj janë këto masa që duhet me i ndërmarrë”, ka deklaruar specialistja e mjekësisë familjare, Nesrije Paçarada.

Disa prej simptomave që shfaqen te njerëzit që qëndrojnë gjatë në diell janë, lëkura e thatë dhe e zbehtë, kokëdhimbja, ngërçet e duarve dhe këmbëve, për shkak të vështirësive të organizmit për të rregulluar temperaturën trupore.

Paçarada tregon edhe cilët persona janë më të rrezikuar nga temperaturat e larta.  

“Të gjithë jemi të rrezikuar, edhe njerëzit e shëndoshë janë të rrezikuar nga këto temperatura të larta. Po si më të rrezikuar janë personat me sëmundje kronike, pra personat me hipertension, personat që kanë problem me veshkë, por edhe grupmoshat e reja, për fëmijët e vegjël e kam fjalën sepse ata edhe vetë nuk dinë të ruhen”, ka thënë ajo.

Specialistja e mjekësisë familjare, Nesrije Paçarada, ka rekomanduar që të ketë kujdes në përshtatjen e temperaturave të ambienteve të brendshme në bazë të temperaturave që janë jashtë.

Sipas saj, nëse ka ndryshim të madh mes temperaturave në ambiente të brendshme dhe të jashtme, njerëzit mund të kenë marramendje, të vjella, rritje të pulsit dhe të shpejtësisë së frymëmarrjes.

“Ambientet e mbyllura është mirë me pasë kondicionerë por duhet me ditë qysh me i përdorë. Gjithmonë nëse jashtë është temperatura 35 gradë, kondicioneri duhet të jetë vetëm 5 ose 6 gradë më pak se sa ambienti i jashtëm. Jo përshembull jashtë temperatura 35 gradë e brenda 19 gradë, që është një ndryshim shumë i madh për organizmin aq shpejt me u adaptu”, ka thënë Paçarada.

Ajo ka dhënë edhe këshilla se si duhet të ndihmojmë dikë që është goditur nga dielli.

“Nëpërmes djersitjes e humbim edhe kaliumin kështu që edhe nëse nuk e ke Nelitin, je në një ambient që ke pësuar goditje dhe të duhet me e bo rehidrimin mjafton ta marrin një litër ujë, t’ia hedhin një lugë të mesme kripë dhe 2 ose 3 sheqer edhe ajo bohet si një lloj Neliti që bëhet i mirëseardhur në momentet që nuk e ka pasë me veti”, ka përfunduar Paçarada.