Si të aplikohet për subvencionim të energjisë elektrike?

Nga sot, familjet me të ardhura mesatare mujore më pak se 150 euro për anëtar do të mund të aplikojnë për subvencionim të energjisë elektrike.

Ministri i financave, Hekuran Murati ka njoftuar për hapjen e aplikimit online për subvencionim të energjisë elektrike.

Murati ka theksuar se subvencionimi do të bëhet drejtpërdrejtë në faturën e konsumatorit.

Por kush do të mund të aplikoj për subvencionim të energjisë elektrike?

Për subvencionim të energjisë elektrike do të mund të aplikojnë të gjitha familjet që kanë të ardhura më pak se 150 euro për anëtarë.

Shembull, nëse një familje ka katër anëtarë dhe ka të ardhura mujorë më pak se 600 euro për muaj apo familjet që kanë pesë anëtarë dhe kanë të ardhura mujore më pak se 750 euro për muaj, dhe kështu me rradhë.

Ministri Murati ka shpjeguar se shuma e subvencionimit të plotë shkon deri në 900kWh në vit për një anëtarë të familjes. Kilovatët për orë do të shpërndahen në muajt e dimrit.

“Shuma e subvencionit të plotë shkon deri në 900 kWh/vit për një anëtar, dhe do të jetë e shpërndarë nëpër muajt e dimrit. Nëse një familje 4-anëtarëshe ka 300 euro të ardhura mujore, mund të përfitojë gjysmën subvencionit, pra 450 kWh/vit për anëtarë. Nëse familja nuk ka fare të ardhura, atëherë mund të përfitojë subvencionin e plotë prej 900kWh për anëtar. Me fjalë tjera, sa më pak të ardhura të ketë familja, aq më e lartë është vlera e subvencionit, e që mund të shkojë deri në 900kWh/vit/anëtar”- ka njoftuar Ministri i Financave, Hekuran Murati.

Ai ka theksuar se në rast se familjet nuk kanë qasje në internet, apo kanë vështirësi të aplikojnë, mund të drejtohen në Qendrat për Punë Sociale për udhëzime dhe ndihmë.