Dr. Miranda Selmonaj- Rama

Si ta ruajmë gjëndrën tiroide?

Gjëndra tiroide është një gjëndër e vogël që ndodhet në pjesën e përparme të qafës dhe rregullon shumë procese metabolike.

Prishja e funksionit të saj shfaqet klinikisht me një sërë simptomash.

Kur trupi juaj prodhon pak hormone tiroide quhet hipotiroidizëm, dhe ju keni funksion të ulur të gjëndrës tirode dhe mund të keni lodhje, shtim në peshë, kapsllëk, të keni intolerancë ndaj të ftohtit, rënie të flokëve, ҫrregullim të ciklit menstrual te vajzat dhe gratë.

Nëse trupi juaj prodhon shumë hormone tiroide, mund të zhvilloni një gjendje të quajtur hipertiroidizëm dhe ju keni funksion të shtuar të gjëndrës tirode dhe ndiheni të shqetësuar, me rrahje të forta të zemrës, keni rënie në peshë ose djersitje shumë më tepër se zakonisht.

Simptomat e problemeve të tiroides mund të ngatërrohen me ato të patologjive të tjera, andaj ekzaminimet mjekësore janë të domosdoshme për të vendosur diagnozën.

Për fat të mirë, ka teste që mund të ndihmojnë në përcaktimin nëse simptomat tuaja shkaktohen nga një problem i tiroides.

Testet specifike të gjakut që do të bëhen për të testuar tiroiden tuaj mund të përfshijnë:

TSH: Hormoni stimulues i tiroides prodhohet në gjëndrën e hipofizës dhe rregullon ekuilibrin e hormoneve të tiroides – duke përfshirë T4 dhe T3 – në qarkullimin e gjakut. Shumicën e herave, mungesa e hormoneve tiroide (hipotiroidizmi) shoqërohet me një nivel të ngritur të TSH, ndërsa teprica e hormoneve tiroide (hipertiroidizmi) shoqërohet me një nivel të ulët të TSH.

FT4: T4 e lirë ose tiroksina e lirë është një metodë për matjen e T4 që eliminon efektin e proteinave që lidhin T4. T4 e ulët shihet me hipotiroidizëm, ndërsa nivelet e larta të T4 mund të tregojnë hipertiroidizëm.

FT3: T3 e lirë ose trijodothyronina e lirë është një metodë për matjen e T3 që eliminon efektin e proteinave që lidhin T3. Nivelet e ulëta të T3 mund të vërehen në hipotiroidizëm, por më shpesh ky test është i dobishëm në diagnostikimin dhe menaxhimin e hipertiroidizmit, ku nivelet e T3 janë të ngritura.

Antitrupat e tiroides ndihmojnë në identifikimin e ndryshmeve autoimune të tiroides. Më të zakonshëm janë antitrupat e peroksidazës tiroide ose anti-TPO, antitrupat e tiroglobulinës ose anti-TG dhe antitrupat e receptorit të tiroides (përfshin imunoglobulinat stimuluese të tiroides -TSI dhe imunoglobulinat bllokuese të tiroides -TBI)

Kalcitonin: Ky test përdoret për të diagnostikuar hiperplazinë e qelizave C dhe kancerin medular të tiroides, që të dyja janë çrregullime të rralla të tiroides.

Tiroglobulina: Ky test përdoret për të diagnostikuar tiroiditin (inflamacion tiroide) dhe për të monitoruar trajtimin e kancerit të tiroides.

Si të mbani tiroiden tuaj të shëndetshme ?

– Bëni vizita të rregullta te mjeku. Simptomat e çrregullimeve të tiroides janë të ngjajshme me shumë sëmundje të tjera. Është një nga arsyet pse kontrollat e rregullta të mjekut mund t’ju ndihmojnë të identifikoni çdo simptomë që herët dhe t’i korrigjoni ato me planin e duhur të trajtimit.

– Konsumoni ushqime që përmbajnë jod. Mungesa e jodit është një nga shkaqet kryesore të çrregullimeve të lidhura me tiroiden. Prandaj është e rëndesishme ta plotësoni atë duke konsumuar ushqime të pasura me jod si alga deti, peshk i freskët, midhjet, karkalecat, mishi i pulës, produkte qumështi të fortifikuara, boronica etj.

– Gatuani perimet. Perimet si lakra jeshile, lakrat e Brukselit, brokoli dhe lulelakra janë të shijshme dhe të dendura nga ana ushqyese. Megjithatë, ato mund të kenë një efekt negativ në gjëndrën tiroide, njihen si ushqime ‘strumogjene’ që do të thotë se mund të shtypin funksionin e gjëndrës tiroide duke bllokuar marrjen e jodit. Sigurohuni që t’i gatuani lehtë përpara se t’i hani për të nxjerrë të mirat e tyre, pa ndikim negativ në tiroide.

– Hiqni glutenin. Gluteni mund të mos jetë problem për të gjithë, por intolerancat dhe alergjitë ndaj tij janë në rritje. Eliminimi i plotë i glutenit nga dieta juaj është i rëndësishëm nëse keni një çrregullim autoimun të tiroides siç është sëmundja Hashimotos ose Graves.

– Qëndroni larg dietave të rënda. Dietat e rënda shpeshherë nuk janë të mira për gjëndrën tiroide dhe kjo ndikon qe ju mos të humbni aq shumë peshë sa dëshiroini. Çelësi i shëndetit është të hani shumë ushqime të pasura me lëndë ushqyese, si fruta dhe perime të freskëta, burime të shëndetshme proteinash, të pini shumë ujë dhe të ulni marrjen e sheqernave të rafinuara, ushqimeve të padëshiruara, pijeve me sheqer.

– Konsumoni arra. Veçanërisht arrat braziliane kanë vlera të larta në selenit, i cili është shumë i rëndësishëm për tiroiden pasi është i nevojshëm për të shndërruar hormonin e tiroides T4 në T3. Brokoli, gjalpi, vezët, peshku, hudhra, qepa, rrepat dhe ushqimet e detit janë gjithashtu burime fantastike të selenit.

– Kujdes me sojën, vepron si një strumogjene dhe bllokon përthithjen e jodit.

– Rritni antioksidantët! Tiroidja është shumë e ndjeshme ndaj stresit oksidativ dhe kështu mbrojtja e integritetit të qelizave të tiroides është jetike.

– Ushtrimi nxit metabolizmin tuaj, përmirëson funksionet e tiroides dhe lehtëson simptomat e çrregullimeve të tiroides.

– Menaxhoni stresin. Stresi mund të luajë një rol të rëndësishëm në çrregullimet e tiroides. Kur trupi juaj është i stresuar, ai çliron hormonin e kortizolit, duke e bërë më të vështirë për gjëndrën tiroide të prodhojë sasinë e nevojshme të hormoneve.

Të ngrënit shëndetshëm, aktiviteti fizik, gjumi i mirë, menaxhimi i stresit, mund të ndihmojnë sistemin tuaj imunitar i cili është ҫelësi për një shëndet të mirë.